Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hasani për propozimin e Ramës: Filozofikisht e barabartë me projektin për ndarjen e Kosovës

Profesori i së drejtës kushtetuese, Enver Hasani ka thënë se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama s’ka të drejtë të flasë për Kosovën, kur bëhet fjalë për raportet me Serbinë. Hasani thotë se Rama mund të flasë për Kosovën vetëm kur preken strukturat euroatlantike.

Ai deklaroi se kryeministri shqiptar ka gabuar rëndë kur propozoi një draft-statut për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Paradoksalisht, ai tha se drafti ngjan me projekt për ndarjen e Kosovës.

Më mirë sipas Hasanit, do të ishte nëse Rama do të angazhonte ekspertë për t’i ndihmuar Kosovës ta themelonte vet draftin.

Nuk mundet Edi Rama me fol në emër të shqiptarëve të Kosovës.  Por nëse pastaj ti kalon në një fazë tjetër ku paraqitesh rrezik për stabilitet rajonal ai ka përgjegjësi sepse është ombrella e sigurisë së NATO-s, vend i NATO-s. Por, Edi Rama ka gabuar rëndë. A po don me i ndihmu Kosovës, po. Atëherë paguaja Kosovës ekspertët më të mirë për drafitimin e statutit amerikan-evropian. Ajo është ndihmë, por jo me e trajtu ti”, ka thënë Hasani.

Profesori Hasani tha se me këtë draft Rama e ka vënë Kosovën në pozitë që nuk ka institucione e organe shtetërore.

A e dini ju, duket paradoks por është e barabartë filozofikisht në aspektin shtetëror me atë projektin për ndarjen e Kosovës. Kur thu ti se Kosovës po ja bëjë, ti faktikisht, siç po e thonë do këtu që janë militantë të tij, të partive të ndryshme, faktikisht po thu se Kosova nuk e ka fijen e trurit, nuk ka as institucione, asnjë organ. Rezultati i pashmangshëm del këtu”, deklaroi ai.

Sipas Hasanit, kryeministri shqiptar mund të flas për Kosovën vetëm kur në fjalë janë strukturat euroatlantike.

Ajo që është në Kushtetutë, e nuk është vetëm në të Shqipërisë, por e kanë Kushtetutat e vendeve komuniste 90%, për mbrojtjen jo vetëm etnike, por edhe të diasporës, trungut që jeton në diasporë, është për dekor. Ne nuk mundemi me ju referu shtetit sovran dhe të pavarur. A mundet Rumunia me fol për Moldavinë. S’ka të drejtë me fol. As Gjermani për Austrinë dhe anasjelltas. Pastaj Rama ka të drejtë kur vjen me strukturat euroatlantike, ka plotësisht të drejtë”, deklaroi më tutje Hasani.

Më tutje, Hasani deklaroi se Rama me deklaratat e tij karshi Serbisë veçse po i përsëritë kërkesat e NATO-s.

Ai po sillet si kryeministër i një shteti që është anëtar i NATO-s. Ai është vija e NATO-s. Ajo kërkesë është e NATO-s. Me këtë ai po e mban anën e perëndimit dhe jo të Kosovës”, ka thënë ai.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 8 qershor, ka thënë se u ka dorëzuar një draft për Asociacionin, presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe kancelarit gjerman, Olaf Scholz.

Rama ka thënë se dokumenti është konfidencial. Megjithatë ai është shprehur i bindur se është “një dokument i nivelit më të lartë ndërkombëtar që merr në konsideratë të gjitha arsyet për krijimin e Asociacionit dhe që Asociacioni është pjesë e organizimit të jetës për Kosovën”.