“Hashim Thaçi donte të na vriste pas vdekjes së Adem Jasharit”.
Kështu u shpreh në studion e Ditarit, Gani Geci, vëllai i Fadil Gecit, i cili dëshmoi kundër Hashim Thaçit në Hagë. Nga studio e A2, ai tha se kërkonin asgjësimin e tij, teksa sjell në vëmendje edhe një sulm që rezultoi me plagosjen e tij dhe humbjen e dy miqve të tij, duke e cilësuar atë si pasojë e një komunikate numër 59 të shkruar nga Thaçi.
“Ata kërkonin asgjësimin tim. Ata e përdornin emrin e shtabit të përgjithshëm, jo emrin të përveçëm. Në vitin 2001 organizohet një pritë kundër meje. Mi vrasin dy shokë, mua më plagosin. Njëri ka qenë Besim Dajaku”, tha Geci në A2.
Ndonëse nuk ndien frikë, ai pranon rrezikun nga ‘njerëzit e natës’, siç i quan ai.
“Me thënë të drejtën, unë frikë nuk kam, rrezik ka, por frikë nuk kam se nuk i frikësohem këtyre hienave të natës. Nuk i jam frikësuar Serbisë që ka pasur helikopterë, jo këtyre të hajnave natën, që këta veç natën janë fortë”, tha ai.
Ai shprehu gatishmëri për të dëshmuar në Hagë, duke mbrojtur legjitimitetin e tij dhe për të zbuluar të vërtetën mbi komunikatën 59, për të cilën akuzon drejtpërdrejt Hashim Thaçin.
“Hashim Thaçi është munduar me më denigruar. Më para ka shkuar Fadili që aty me ju kallëzu që nëse nuk është Ganiu, është Fadili dhe ne jemi 7 vëllezër dhe ne jemi të pëqëndruar të mbrojmë njëri-tjetrin dhe që nuk mund të na zmbrapsin nga e drejta jonë legjitime, nacionaliste, demokratike, për të kërkuar zbardhjen e komunikatës numër 59, për të kërkuar ata që na vranë, për të kërkuar ata që dhanë urdhër, për të kërkuar ata që shkruan komunikatën”.
Ai rikujtoi luftën e vitit 1998 dhe kthimin e tij nga Gjermania për t’u bërë pjesë e lëvizjes së rezistencës, teksa ndau ngjarjet e tensionuara në të cilat u përfshi, duke përmendur momentet kur iu tentua arrestimi i vëllait të tij për arsye politike. Geci ruajti dokumente të rëndësishme në një enë plastike dhe pas përfundimit të luftës, këto dokumente u shfaqën për të treguar të vërtetën.