Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Haxhiu: Kurti duhet të ishte prezent për të dhënë llogari për dështimet në shëndetësi

 
   

Deputeti nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu ka thënë se prezent në seancë sot do të duhej të ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti për të dhënë përgjegjësi para qytetarëve për gjendjen siç tha ai të keqësuar në shëndetësi. Madje, ai tha se në këtë qeveri është normale të abuzohet.

Haxhiu: Sot në këtë debat duhet të ishte prezent kryeministri Kurti

“A ka çështje më të rëndësishme për Qeverinë, deputetët, sesa shëndeti i qytetarëve. Sot në këtë debat do duhej të ishte prezent kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili me 14 shtator, 2022, themeloi komitetin ekzekutiv për shëndetësi, sepse deklaronte se është pak, me ndreq shëndetësinë tonë, me udhëheq këtë punë veç një ministër. Sot Kurti do duhej të ishte në këtë debat për të dhënë përgjegjësi për dështimin në shëndetësi, edhe si kryeministër dhe si kryetar i komitetit ekzekutiv për shëndetësi. Do duhej të jepte llogari për degradimin e sistemit shëndetësor, pabarazisë e pakënaqësisë të pacienteve e profesionisteve shëndetësor. Njëri nga ata, sot është në grevë urie, tani e tre ditë, dhe ministria e shëndetësisë dhe qeveria lëre që nuk brengosen për kërkesat e infermiereve, profesionisteve shëndetësor, por as për shëndetin e Enliratit nuk brengosen që është tani e tre ditë në grevë urie. Skandale e hajni, korrupsion e keqpërdorime në shëndetësi pa dhënë askush llogari. As kur pacientja, gruaja shtatzënë vritet para gjinekologjisë, as kur gjymtohet trupi i foshnjës së vdekur në lavatrricën e Spitalit të Pejës, dhe kur nuk ka përgjegjësi për raste të tilla, për këtë qeveri është normale të abuzohet ”, tha Haxhiu.

Ai po ashtu ka thënë se lista e pritjes vazhdon të jetë brengë për pacientet, për çfarë tha se kjo listë ishte reduktuar vetëm në vitin 2019/20.

Haxhiu: Listat e pritjes, një brengë e madhe, dhe këto ishin reduktuar në vitin 2019/20

“Jo vetëm që janë reduktuar shtretërit, por janë luftuar edhe profesionistet më të mirë që kanë qenë në kujdesin intensiv. Prandaj, jo rastësisht është rritur edhe shkalla e vdekshmërisë në kujdesin intensiv, dhe jo rastësisht e kemi ikjen e anesteziologëve nga kjo klinikë…Listat e pritjes, një brengë e madhe, dhe këto ishin reduktuar në vitin 2019/20”, tha Haxhiu.