Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Haxhiu: Për asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal

 
   

Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave duhet të bëhet pjesë e integruar e dënimeve për kryesit e këtyre veprave penale. Kështu u tha në tryezën diskutuese “Thyerja e ciklit të dhunës: Integrimi i programeve për trajtimin e kryerësve të dhunës në familje si pjesë e dënimit”, e cila u organizua nga Zyra e Këshillit të Evropës në kuadër të projektit “Përafrimi i ligjeve dhe politikave me Konventën e Stambollit”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu u shpreh optimiste se në të ardhmen gratë në Kosovë do të trajtohen në mënyrë të dinjitetshme, derisa theksoi se institucionet përgjegjëse duhet tu përgjigjen me profesionalizëm rasteve të dhunës në familje.

Haxhiu theksoi se deri më tani në asnjë rast të dhunës në familje nuk është shqiptuar dënimi maksimal që parashihet në Kodin Penal e që është 3 vite.

Haxhiu: Në të kaluarën nuk ka pas programe me qëllim të rehabilitimin e dhunuesve

“Edhe sot më duhet me zë të lartë të thërras institucionet që të adresojnë përgjegjësitë që kanë, të mos i neglizhojnë rastet e dhunës në familje dhe që të marrin veprimet në përputhje me legjislacionin në fuqi në raport me këto raste. …095’11 Në të kaluarën asnjëherë në institucionet korrektuese nuk ka pasur programe me qëllim të rehabilitimit të dhunuesve dhe jo rrallë herë madje shumë herë kemi pasur raste të recidivizmit….Kodi Penal parasheh për rastet e dhunës në familje maksimumi i dënimit është me tri vite, pra me gjobë dhe burgim deri në 3 vite, jo me gjobë ose me burgim, por me gjobë dhe burgim deri në tri vite, por nuk kemi asnjë rast deri tani që është shqiptuar me dënim deri në 3 vite. Prandaj, është jashtëzakonisht e rëndësishme që si ministri së bashku me Këshillin e Evropës kemi punuar në adresimin e programit me qëllim të rehabilitimit të dhunuesve”, theksoi ajo.

E para e drejtësisë në vend, Albulena Haxhiu tha se Programi Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave synon të transformojë mendësinë dhe sjelljet abuzive të kryesve si dhe t’i vetëdijesojnë kryesit e dhunës për pasojat e rënda të veprimeve të tyre.

Ajo tha se për ofrimin e këtij programi janë trajnuar 15 profesionistë, derisa theksoi se pilot-projekti është implementuar në Qendrën Korrektuese në Dubravë dhe pjesë e trajnim kanë qenë 20 persona që kanë kryer veprën penale dhunë në familje.

Haxhiu: 20 kryes të dhunës janë trajnuar në kuadër të Programit Kombëtar

“Që nga shkurti deri në fund të korrikut të këtij viti kemi pilotuar programin kombëtar në Qendrën Korrektuese në Dubravë i cili zgjati 6 muaj duke zbatuar 24 sesione javore aq sa parasheh programi…Pjesë e këtij udhëtimi ishin 20 kryes të dhunës të dënuar me veprën penale dhunë në familje që kanë qenë në qendrën korrektuese në Dubravë.. Mangësi që është vërejtur gjatë pilotimit është kohëzgjatja e ulët e dënimeve pra dënimet e ulët kanë bërë që gjatë kohës sa të dënuarit kanë qenë duke e ndjekur këtë program kanë përfunduar dënimet e tyre dhe mendoj se kjo ka sjell situatën që ata është dashur ta ndërprejnë këtë program. Programi kombëtar për kryesit e dhunës ndaj grave nuk është përgjegjësi të zbatohet vetëm nga MD. Fillimi i zbatimit efektiv nis pikërisht atëherë kur prokurori ose gjyqtari e integrojnë programin si pjesë të dënimit dhe kryesve të dhunës duke e mbajtur përgjegjës për krimin e bërë dhe duke i dhënë dënimin e merituar”, tha ajo.

Ndërsa, zëvendësshefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Tankut Soykan është shprehur i kënaqur me punën që ministria e Drejtësisë ka bërë për hartimin e Programit Kombëtar për Trajtimin e Kryesve të Dhunës ndaj Grave.

Soykan u shpreh se kryesit e dhunës në Kosovë dalin nga burgu me të njëjtën mentalitet, prandaj ai e sheh të nevojshme që programe të tilla të jenë pjesë e integruar si pjesë e shqiptimit të dënimeve.

Soykan: Është program psiko-social që i mban kryesit përgjegjës për krimet që kanë kryer

“Programi nuk duhet të shihet si tregues se të burgosurit do të marrin një dënim të reduktuar nëse marrin një program të tillë trajnues, është program psiko-social që i mban kryesit përgjegjës për krimet që kanë kryer dhe i mëson ata që t’i ndalin këto sjellje të dhunshme dhe të ndërtojnë raporte të respektit të ndërsjellët. Programi mbështetet tek viktimat dhe qëllimi të garantojë siguri dhe mbrojtje për viktimat…18’11E shoh përkushtim tuaj për vlerat tona të përbashkëta dhe luftën kundër dhunës gjinore dhe grave dhe është privilegj të punojmë për ju… 18’;39Gjyqtarët dhe prokurorët luajnë rol kyç për të integruar këtë si pjesë të shqiptimit të dënimeve për fat të keq shohim se kryesit hyjnë dhe dalin nga burgu me të njëjtën mentalitet dhe kryesit përsërisin veprat. Programi është treguar i dobishëm për ta ndryshuar këtë sjellje”, tha ai.

Në nëntor të vitit 2023, ministria e Drejtësisë ka lansuar “Programin Kombëtar për Trajtimin e Kryerësve të Dhunës ndaj Grave”, i cili u pilotua në Qendrën Korrektuese në Dubravë për 6 muaj.