Opozita e konsideron problematik dhe rrezik për demokracinë, Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës. Deputetë të partive opozitare po e kundërshtojnë këtë nismë ligjore, teksa ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka shpalosur para Komisionit për Legjislacion projektligjin.
Ajo tha se në kuadër të objektivave reformuese, kanë vazhduar me prioritet për hartimin e Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës.
“Projektligji përmban disa risi, adreson vendosjen e kritereve për përbërjen e këshillit, fuqizimin e rolit dhe rritjen e transparencës”, tha ajo.
Anëtari i komisionit, Driton Selmanaj u shpreh kritik ndaj këtij projektligji, për çka tha se rrezikohet Këshilli Prokurorial.
“Ky dokument nuk i ka marrë për bazë rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe aktghykimit të Gjykatës Kushtetuese. Është e papranueshme se si ju ende nuk keni marrë për bazë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Selmanaj.
Për më tepër, deputeti i LDK-së theksoi se kjo iniciativë është e papranueshme.
“Dje na është drejtuar një letër përmes zyrës së BE-së, ku thotë që të rishikohen rekomandimet. Ju po duket se nuk jeni konsultuar. Me çdo mjet do të ju ndalim”, shtoi ai.
Edhe deputeti i AAK-së, Besnik Tahiri u shpreh se ky projektligj është problematik, duke përmendur edhe çështjen e përbërjes prej 19 anëtarëve.
“Unë i kam tri probleme të mëdha me këtë ligj, e para lidhet me vendimmarjen e cila buron prej vet anëtarëve dhe ne kemi bërë një rritje deri në 19 anëtarë. Çka nënkupton kjo? Një instancë e sundimit të ligjit në KPK sfidohet seriozisht prej përbërjes së re qe buron prej Kuvendit. Edhe është çështje dhe problem i madh se kjo i jep prapë politikës gjatë gjithë kohës të ketë ndikim të drejtpërdrejt. Reforma bëhet për të forcuar”, theksoi Tahiri.