Prokuroria Speciale ka reaguar pas deklaratave të Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, e cila tha se kjo prokurori po i hakmerret Qeverisë Kurti, duke komentuar rastin e rezervave shtetërore.
PRSK’ja ka shprehur shqetësim ndaj deklaratave të Haxhiut, duke i cilësuar si paragjykuese, të pamatura dhe të paverifikuara.
Specialja ka thënë se do t’i shkojë deri në fund çdo rasti që është në dëm të institucioneve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës, pavarësisht se kush është, në çka beson dhe çfarë ka bërë dhe çfarë bënë.
“Në këtë aspekt, theksojmë se deklarimet e tilla burojnë dhe artikulohen nga pasaktësitë maksimale, nuk kanë të bëjnë asgjë me realitetin dhe janë tërësisht tendencioze ndaj kësaj prokurorie, sepse të thuash se PSRK-ja kontrollon dhe mbikëqyrë vendimet e krejt sistemit prokurorial kinse për verifikimin dhe shkeljen e mundshme të ndonjë ligji, vërtet është një nonsens i llojit të veçantë publik, i padëgjuar dhe krejtësisht imagjinar, gjë që na bënë të vijmë në përfundim se deklaratat e tilla ngritën dhe shuhen në kuadër të spekulimeve, sepse servohen vetëm për nevoja të agjendave ditore politike.
PSRK-ja bënë me dije se kompetencat dhe veprimtaria e saj në kuadër të Prokurorit të Shtetit nuk janë hartuar dhe nuk zbatohen me paragjykime nga askush dhe nuk realizohen në bazë të vullnetit të dikujt jashtë sistemit prokurorial, por përbëjnë ligjshmëri, legjitimitet dhe profesionalizëm, me anët të realizimit të bashkëpunimit dhe bashkëveprimit të ngushtë me akterët në kuadër të sistemit prokurorial dhe me të gjitha institucionet e tjera në suaza të kompetencave përkatëse, si dhe duke respektuar normat dhe standardet e funksionimit demokratik të institucioneve në Republikën e Kosovës”, thuhet në reagim.
Specialja i ka bërë thirrje Ministres Haxhiu “që më në fund të fillojë të përmbahet nga deklaratat e vazhdueshme shantazhuese dhe nënçmuese ndaj PSRK-së dhe ndaj punës së Kryeprokurorit dhe prokurorëve të saj, sepse kjo përbën tendencë të hapur për të ndikuar në punë, për të ndërhyrë në kompetencat dhe në veprimtarinë legjitime të kësaj prokurorie dhe ndaj punës së prokurorëve të shtetit dhe nuk ka se si të quhet ndryshe përveç se si tentativë e pathemeltë dhe e dështuar.”.
Ndryshe, Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke komentuar rastin rezervave shtetërore, tha se Prokuroria Speciale po i hakmerret qeverisë Kurti.
“Nuk mundemi me mohu edhe me heshtë faktin që kemi një hakmarrje të Prokurorisë, kryesisht prokuroria speciale ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ne e kemi dëgjuar nga vetë zyrtarët brenda Prokurorisë, që edhe vendimet të cilat nuk kanë asnjë ndikim as financiar e as nuk janë vendime përmbajtjesore, shkojnë edhe kontrollohen nga Prokuroria Speciale, në kuptimin që ‘mos po i nxojmë diku’ që kanë shkelur diku një ligj. Unë i bëj thirrje Prokurorisë që secilin vendim timin, qoftë tek një administrativ dhe të tjera ta trajtojnë atë”, ka thwnw mbrëmë Haxhiu.
Ajo akuzoi prokurorinë që ka miliona lëndë që përmbajnë keqpërdorim të miliona eurove, për të cilat nuk kanë filluar as hetimet.
“Çështja është që kjo nuk është drejtësi, duke qenë që miliona lëndë, si me thënë ë lëndë që përmbajnë keqpërdorim të milionave i ka dërgu infrastruktura, ekonomia, industria, drejtësia, financat, arsimi edhe nuk kanë fillu asgjë hetime. Pra, nëse Prokuroria do zgjedhtë që të merret edhe me ato, ke politikanë të cilët dyshohen për miliona euro, të cilët janë të lirë dhe akuzojnë Qeverinë për krim e korrupsion”, tha Haxhiu.