Nënkryetari i LDK’së, Lutfi Haziri, e quajti të vonuar lajmin për arrestimin e pesë personave për krime lufte nga Prokuroria Speciale e Kosovës, megjithatë thotë se ky lajm është i mirëpritur.
Haziri përmes një shkrimi në Facebook thotë se “prokuroria dhe policia e shtetit e kanë realizuar këtë aksion, duke u bazuar në të dhënat e Komisionit Komunal të Gjilanit, i cili ishte themeluar pas luftës, duke qenë kujdestar në administrimin, faktimin dhe gjetjet e kohës”.
“Drejtësi për viktimat e Llovcës, Inatocit (Kokaj), Pogragjës, Uglarit dhe të gjitha viktimat tjera të luftës kudo në Gjilan e Kosovë”.
Kujtojmë se Prokuroria Speciale në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, pas hetimeve disa mujore, ka zhvilluar një aksion, ku ka arrestuar pesë persona të dyshuar për veprën penale “Krime Lufte”`.
Personat ndaluar janë: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh. Ata dyshohen se me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare.`