Ambasadori i SHBA-së në Beograd, Christopher Hill ka deklaruar sonte se Serbia është aktualisht një partner më i afërt i NATO-s sesa Kosova dhe përsëriti se Asociacioni i Komunave Serbe duhet të themelohet.
Hill këtë ia tha RTS-së, ndërsa fliste për ngjarjet e viteve 1998 dhe 1999 para bombardimit të Jugosllavisë.
“Nëse shikoni se kush është partner i NATO-s, Serbia është shumë më afër NATO-s sesa Kosova. Për momentin, po. Kjo është shumë e vërtetë tani. Ne punojmë me ushtrinë serbe çdo ditë, kemi pasur stërvitje, trajnime, një numër gjërash me ushtrinë serbe… Tani ne punojmë së bashku shumë më tepër…”, tha Hill.
Duke folur për Asociacionin, Hill shprehu qëndrimin e Washingtonit, ku sipas tyre, themelimi i tij është detyrim i vonuar.
“AKS është rënë dakord 11 vjet më parë, dhe qëndrimi ynë dhe qëndrimi i BE-së, dhe kemi dëgjuar gjithashtu Josep Borrell të flasë për të, sepse AKS duhet të formohet. Është e nevojshme dhe do të zgjidhte shumë probleme, p.sh. Çështja e pensionistëve – si të merren mjete për pensionistët, si të zgjidhet çështja e dinarëve, si të menaxhohet arsimi… E gjithë kjo do të zgjidhej me AKS-në”, citohet të ketë deklaruar Hill.
Ai përsëriti se SHBA qëndron pas saj dhe këmbëngul për të.
“Mendoj se në një moment i dërguari ynë Gabriel Escobar, lidhur me AKS-në dhe Kurtin, pati thënë se ‘do ta bëjmë me ose pa Kurtin’. Këto janë fjalë të forta dhe SHBA-të qëndruan pas tyre. Janë negociata, duhet t’i zgjidhni gjërat, nuk është e lehtë, por ne jemi të përkushtuar ndaj saj dhe jam i sigurt se në një moment të caktuar do ta bëjmë”, tha ambasadori amerikan.
Hill shtoi se pritshmëritë e SHBA në Rambuje ishin që pas disa vitesh të gjithë do të ishin në Evropë, por rezultati ishte dukshëm i ndryshëm.
“Por kjo nuk e ndryshon atë që duhet bërë. Vendi i duhur për Serbinë është në Bashkimin Evropian dhe ne do të donim ta ndihmonim Serbinë të arrijë atje. Shpresoj që kjo të ndodhë më shpejt sesa më vonë”, tha Hill.