Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Histori e frikshme”/ Klodiana Lala plas deklaratën e fortë dhe paralajmëron: Sapo ka nisur e gjitha, në ‘Kepin e Rodonit’ po përplasen grupet më të fuqishme kriminale

Gazetarja, Klodiana Lala ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur në “Kepin e Rodonit” ku disa persona u konfliktuan për pronat.

Lala thotë se mafia e pronave e ka kapur për fyti shtetin dhe se në “Kepin e Rodonit” po përplasen grupet më të fuqishme kriminale.

Sipas saj dokumentat tregojnë një histori të frikshme që një zot e di sa kosto të renda do të ketë.

“Mafia e pronave e ka kapur për fyti shtetin. Në ‘Kep të Rodonit’ po përplasen grupet më të fuqishme kriminale. Sapo ka nisur e gjitha. Dokumentat tregojnë një histori të frikshme që një zot e di sa kosto të renda do të ketë.”, shkruan Lala në rrjetet sociale.

Këtë të hënë u vu në pranga ish-deputeti Mark Frroku lidhur me konfliktin në fjalë dhe mbi të rëndojnë akuzat Kanosja”, “Moskallëzimi i krimit”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”.

Si ndodhi ngjarja?

Policia bëri publike sherrin e ndodhur një ditë më parë në “Kepin e rodonit”.

Disa banorë të fshatit Shetaj, konkretisht shtetasit B. K., E. R., Y. R. dhe O. R. janë konfliktuar me sende të forta, me përfaqësues të kishës katolike, shtetasit N. S., M. F., M. L. dhe P. D.

Konflikti ka nisur gjatë kohës kur përfaqësuesit e kishës katolike po bënin rrethimin e pronës për të cilën kanë certifikatë pronësie. Banorët e zonës nuk i kanë lejuar që të bëjnë këtë rrethim pasi edhe ata kanë një certifikatë pronësie, që pretendojnë se e kanë po për këtë pronë.

Konflikti midis këtyre shtetasve ka agravuar me përdorimin e sendeve të forta, pas konfliktit me grushte. Në vendngjarje gjithashtu është gjetur dhe 1 gëzhojë arme zjarri.

Si pasojë e konfliktit me sende të forta kanë pësuar dëmtime të lehta disa nga shtetasit e përfshirë në konflikt, të cilët pasi kanë marrë ndihmë mjekësore, janë shoqëruar bashkë me shtetasit e tjerë të përfshirë në konflikt, me qëllim kryerjen e veprimeve për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Vijon puna për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.