“Italiani” është i njohur për përfshirjen e tij në konfliktet e kafeve të Prishtinës – që për pasojë lanë të vdekur dhe të plagosur.
Rasti i fundit ka ndodh mbrëmë në “Bon Vivant”, ndërsa më 2019 kishte ndodh një tjetër në “Duplex”.
Andi Pajaziti i njohur me nofkën “Italiani” ka mbetur mbrëmë i plagosur në sherrin me armë që ndodhi në kafen “Bon Vivant”.
Gazeta raportoi ekskluzivsisht se ai dyshohet të jetë përfshirë në rastin ku një person mbeti i vdekur dhe shumë të tjerë të plagosur nga gjuajtjet me armë dhe gotat e qelqit.
Rastin e ka konfirmuar edhe Policia, duke zbuluar se pesë persona dyshohet të kenë gisht në ngjarjen tragjike që ndodhi mbrëmë në mes të kryeqytetit.
Por, ky nuk është rasti i vetëm në të cilin “Italiani” ishte i përfshirë. Ai mbahet mend edhe për rastin që kishte ndodh më 2019, në klubin e natës, “Duplex”.
Atë kohë nga shtënat me armë zjarri pranë hyrjes së “Duplex”-it, kishin mbetur të plagosur katër persona. Plumbat dyshohet se kishin ardhur nga Astrit Mehmeti i njohur me nofkën “Llepota” dhe dy shoqëruesit e tij që ishin Kushtrim Krasniqi dhe Andi Pajaziti.
Ky i fundit atë kohë nuk kishte arritur të kapej në vend nga Policia, dhe nga arratia pati folur për motivet që sipas tij çuan deri te plagosja e katër personave.
“Ata nuk na kanë lejuar të hyjmë brenda. Ka qenë veprim i keq ai i joni, por ata kanë gabuar sepse ne nuk kemi shkuar që të luftojmë atje”.
“Si krejt bota që do me hy brenda edhe ne kemi dashtë, por nuk na kanë lejuar, andaj ka ndodhur ky keqkuptim. Nuk ka pas të bëjë as femrat as asgjë tjetër, vetëm kanë thënë që neve nuk na lënë të hyjmë brenda”, ishte shprehur tutje ai.
Pajaziti pati thënë se do të dorëzohen në Policinë e Kosovës.
“S’jemi në arrati se s’kemi bërë asgjë na, shkojmë paraqitemi, kismet nesër”, pati thënë Pajaziti më 11 nëntor të vitit 2019, vetë dy ditë pasi kishte ndodh plagosja me armë në “Duplex”.
Por, “Italiani”, nuk ishte dorëzuar në Polici ashtu siç kishte deklaruar. Ai ishte kapur vetëm pak ditë më pas nga Policia.
Arrestimi i tij kishte ndodh më 26 nëntor, tek vendi i njohur si “Breu i Diellit”. Më vonë ai ishte liruar nga Policia.