Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Homofobet s’kanë vend në Kuvend”, aktivistët ndërpresin mbledhjen e Komisionit që e udhëheq Duda Balje

Nisma e të Rinjve për të Drejta të Njeriut (YIHR KS) ka ndërprerë mbledhjen e Komisionit për të Drejta të Njeriut në Kuvend, duke kërkuar dorëheqjen e kryetares së këtij Komisioni deputetes Duda Balje dhe anëtares Labinotë Demi-Murtezi.

Grupi tha se Duda Balje publikisht deklaroi përsëri që i qëndron prapa “gjuhës së saj përjashtuese dhe diskriminuese ndaj personave LGBTIQ+ nën pretekstin klasik se “është mendimi im personal”. Këtë deklaratë e bëri sot në diskutimin që u mbajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës me temën “Gjendja aktuale në mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut në Kosovë”.

“Është skandaloze dhe jashtëzakonisht shqetësuese që një deputete e Kuvendit, njëherit Kryetare e Komisionit për të Drejta të Njeriut, nuk e kupton parimin bazë mbi të cilin duhet të funksionojnë këto pozita publike – të drejtat e njeriut janë universale dhe personat LGBTIQ+ meritojnë të drejta të barabarta”.

Përpos Baljes, ata kërkuan edhe dorëheqjen e deputetes së Vetëvendosjes, Labinota Demi Murtezi.

“Ne do të vazhdojmë të kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Duda Balje nga Komisioni i Drejtave të Njeriut. Kërkesa është e njëjtë edhe për deputeten Labinota Demi Murtezi”.