Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti, ka thënë se javën e ardhshme mund të ketë gërmime në fshatin Prekaz të Skenderajt.
Ai në RTV Dukagjini, tha se aty dyshohet se ka mbetje mortore të personave të zhdukur, si pasojë e luftës së fundit në Kosovë.
“Lokacioni tjetër që nuk mund të them datën e saktë, por brenda një jave mund t’i fillojmë punimet, është Prekazi i Skënderajt. Aty kemi dyshime të mëdha se janë disa prej personave të zhdukur, që figurojnë në listë, lokacionin e kemi shënjestru, jemi gati t’i kryejmë gërmimet. Na ka ndihmu komuna e Skënderajt, edhe baca Rifat [Jashari] na ka ofru ndihmën e nevojshme. Brenda një jave do t’ia fillojmë punës”, tha ai.
Tutje ai dha detaje edhe për gërmimet e së enjtes, ku në “Arbanë” të Prizrenit janë gjetur mbetje mortore të cilat dyshohen se janë të një personi të zhdukur në luftën e fundit.
“Sot kemi qenë në Arbanë të Prizrenit, kjo është si pasojë e disa hulumtime, me dëshmitare e dokumente, kemi arrit në konkluzion, që brenda varrezave në Arban, mund të jetë edhe personi i fundit, sepse ka qenë një grup prej 11 personash, 10 janë gjet, i fundit besojmë që kemi arritur ta gjejmë sot. Kemi arrit ta gjejmë mbetjet mortore të së paku të një individi”, tha ai.
Hoti theksoi se deri më tani ka pasur 11 gërmime brenda territorit të Kosovës, kurse deri në fund të vitit planifikojnë të arrijnë deri në 15 gërmime.
“Pas lokacionit në Arbanë, kemi vazhdu përsëri në Prizren, jo për gërmime, për shënjimin e disa vendeve, aty presim të kemi gjetje të disa personave, kemi disa lokacione të tjera po urojmë që koha të merr mirë. Deri në fund të vitit 14-15 lokacione do të përfundojnë”, tha ai.
Tutje ai tha se ka dyshime të mëdha për varreza masive në Serbi, por që sipas tij Serbia nuk është duke u treguar bashkëpunuese.
Hoti theksoi se këto shqetësime ia kanë adresuar zyrtarëve evropianë.