Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoti: Kosova kurrë nuk është kritikuar në Komitetin për Punë të Jashtme në ShBA, siç ndodhi para dy dite

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se Kosova nuk është kritikuar asnjëherë në Komitetin për Politikë të Jashtme në Kongresin Amerikan, siç ndodhi para dy dite gjatë raportimit të Gabriel Escobar lidhur me politikën e Administratës Biden për Ballkanin Perëndimor.

Përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ai ka thënë se më herët janë dhënë vërejtje e sugjerime, por ka pasur vlerësime pozitive për qasjen e Kosovës.

“Nuk duhet të na ngushëllojë fakti se kritikat kanë qenë edhe më të mëdha ndaj vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, të cilat po e mbajnë peng progresin e rajonit drejt integrimit evropian.” – ka shkruar ai.

Hoti tutje ka thënë se për Kosovën nuk ka rrugë tjetër përpos ShBA-së.

“Mirëmbajtja dhe avancimi i marrëdhënieve tona me SHBA-në dhe me aleatët e tjerë është e vetmja mënyrë për tu bërë ballë sfidave në konsolidimin e shtetësisë të Kosovës në arenën ndërkombëtare. Për ne nuk ka rrugë tjetër. Imagjinoni për një moment pozitën e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe perspektivën e integrimit euro-atlantik pa mbështetjen e aleatëve dhe do të bindeni për nevojën e koordinimit tonë të plotë dhe të përhershëm me aleatët.” – u shpreh ai.

Në fund, Hoti ka përmendur edhe kontratën për lobim, duke ironizuar se ndoshta “do të ndryshojë qasja e Amerikës ndaj Kosovës”.