Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoti-Kurtit: Mund t’i thuash jo dialogut në Bruksel për dinarin, por pastaj s’mundesh

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Qeveria ka pranuar që çështja e dinarit të diskutohet me Serbinë në Bruksel në kuadër të dialogut.

Deputeti nga LDK-ja, tha se mund t’i thuash jo dialogut në Bruksel për dinarin, por pastaj nuk mund ti thuash.

“Mund t’i thuash jo dialogut në Bruksel për dinarin, por pastaj nuk mundesh’”, shkroi ai në Facebook.

Sipas Hotit pushteti nuk ka dëgjuar këshillat e aleatëve për të arritur një dakordim në Prishtinë, por thotë se pranuan që çështja të diskutohet në Bruksel në kuadër të dialogut.

“Para dy jave, Kosova u kritikua në Këshillin e Sigurimit për vendime të pakoordinuara. Kritikat nuk ishin vetëm nga Kina e Rusia, por nga aleatët që Kosovës ia sigurojnë kufijtë. Gjatë këtyre dy javëve, aleatët kanë kërkuar me ngulm koordinim në Prishtinë vetëm për evitim të pasojave për qytetarët e Kosovës të komunitetit serb. Asgjë tjetër nuk kanë kërkuar. Qeveritarët e ndritur të Kosovës nuk deshën të arrijnë dakordim në Prishtinë me aleatët. Por pranojnë që këtë çështje ta diskutojë me Serbinë në Bruksel në kuadër të dialogut. Kjo nuk do koment. Këto janë pasojat kur vendimmarrja shtetërore i nënshtrohet interesit elektoral. ‘Mund t’i thuash jo dialogut në Bruksel për dinarin, por pastaj nuk mundesh’”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ndryshe, Banka Qendrore e Kosovës ka konfirmuar sot se do të marrë pjesë në takimin e së martës, 27 shkurt, në Bruksel, ku pritet të diskutohet edhe lidhur me rregulloren e BQK-së lidhur me ndalimin e dinarit.

Në anën tjetër, edhe Bashkimi Evropian ka konfirmuar pjesëmarrjen e delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në një takim në Bruksel më 27 shkurt për çështjen e ndalimit të dinarit në Kosovë.

BQK-ja tha për gazetën online Reporteri.net se edhe më herët ka shprehur gatishmërinë që të takohet me përfaqësuesit e Bankës Popullore të Serbisë, për të lehtësuar transferimin e parave, përmes kanaleve bankare.