Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Hoti për marrëveshjen me BB: Marrja e kredisë për të mbushur buxhetin është e gabuar

 
   

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti tha se sot, në Kuvendin e Kosovës priten të ratifikohen tri marrëveshje ndërkombëtare: dy me Bankën Botërore dhe një me Bankën Evropiane për Investime.

Këto tri marrëveshje sipas Hotit burojnë nga marrëveshjet bazë të anëtarësimit të Kosovës në këto banka, të cilat anëtarësime kanë ndodhur në ‘regjimin e kaluar’.

“Marrëveshja me Bankën Botërore është në shumë prej 90.3 mil euro si mbështetje direkte buxhetore për ligjet që janë miratuar në Kuvendin e Kosovës. Kjo praktikë e marrjes së kredisë për të mbushur buxhetin është e gabuar. Kreditë e tilla merren në kohë krizash kur ka rënie të të hyrave buxhetore. Zakonisht kreditë në vite normale buxhetore merren për projekte kapitale. Kjo kredi nuk është e reflektuar në strategjinë e borxhit 2025-2027”, ka thënë Hoti.

Sipas tij Kosova nuk po vuan për mjete, por për politika të mira.

“Është e pakuptimtë që buxheti të mbahet në llogarinë e Qeverisë në Bankën Qendrore të Kosovës, e të merret kredi”, ka shkruar Hoti në rrjetin social Facebook.