
Nënkryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Avdi Hoti, ka thënë se janë zënë të befasuar nga mospagesa për orët e ndërrimit të natës dhe orët shtesë të policëve të vendit.
Ai tha se policia ka pritur këtë muaj që të bëhet pagesë tjetër, ndërsa sot sipas tij, nuk kanë dalë as pagesat e ndërrimit të natës dhe as të orëve shesë.
“Jemi zënë në befasi të keq thënë të drejtën. Jemi konsultuar edhe me drejtorin e Financave brenda Policisë së Kosovës dhe ai na ka informuar se mbi 2.4 milionë euro nuk janë ekzekutuar për policinë por s’kemi marrë ndonjë shkresë nga qeveria apo Ministria e Financave se pse s’ka ndodhur kjo pagesë”, tha Hoti në Edicionin Special.
Sindikata e Policisë së Kosovës ka reaguar pas raportimit të Klankosova.tv se policëve nuk i janë paguar orët shtesë për muajin mars dhe as ato të ndërrimit të natës.