Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, pohon se partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk dëshiron që të marrë pjesë e as të votojë rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës, sepse nuk dëshiron që opozita t’i marrë meritat si propozuese e rezolutës.
“Seanca e sotme jep një pasqyrë jo të mirë për vendin, një seancë e thirrur nga opozita. Kjo nuk ka kuptim për ballafaqimin parlamentar. Nëse e shihni me kujdes, rezoluta e propozuar nga opozita është shumë parimore. Janë tri kërkesa shumë të arsyeshme dhe parimore të propozuara nga opozita. Por, ju nuk doni që opozita t’i marrë këto kredi – thënë në aspektin politik”, tha Hoti.
Mazhoranca nuk është e pranishme në seancën ku po flitet për rezolutën për fuqizimin e Policisë së Kosovës. Ajo edhe herën e kaluar e ka bojkotuar seancën e jashtëzakonshme.
Në këtë Rezolutë të punuar nga Grupet Parlamentare, kërkohet nga faktori ndërkombëtar që të ushtrojë ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me mbështetjen që i ka bërë këtij grupit terrorist.