Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, ka thënë se zhvillimet në Radio Televizionin e Kosovës janë tepër shqetësuese.
Sipas tij, tendenca për përdorim të këtij mediumi publik kundër gazetarisë kritike duhet të marrë përgjigje sipas Kushtetutës dhe ligjit.
“Është e qartë se Bordi dhe menaxhmenti i RTK-së nuk kanë as fuqi dhe as vullnet për tu marrë me situatën e krijuar. Është obligim shtetëror i Kuvendit të Kosovës të ndërpresë degradimin e mediumit publik”.
“Është obligim shtetëror i opozitës në veçanti të ndërmarrë veprimet kushtetuese e ligjore, në Kuvend dhe jashtë Kuvendit, për të ndërprerë udhëheqjen e mediumit publik nga ‘komisarët politik të Kurtit’ përmes kukullave të tyre të vendosura në Bordin dhe menaxhmentin e RTK-së”, tha Hoti.
Tutje, Hoti tha se komisionet përkatëse parlamentare janë vonuar që të ftojnë për raportim bordin bashkë me menaxhmentin e RTK-së dhe drejtorin e AKI-së, si hap i parë, sipas tij, në veprimet që duhet të ndërmerren.