Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin e tij se mbështetja e SHBA-së ndaj Kosovës dhe popullit të saj nuk ka ndryshuar dhe është e fuqishme dhe e hekurt si gjithmonë.
Ai ka thënë se mbështetja ndaj popullit të Kosovës nga SHBA do të vazhdojë edhe më tej, dhe vizita e tij në Gjakovë është dëshmi e saj.
Por, ai ka thënë se kjo nuk në që pajtohen me çdo vendim që merret nga qeveritë e Kosovës.
“Nga njëherë ndiej se të gjithë dëshironi të jeni psikiatër dhe të diagnostikoni ndonjë sëmundje mendore apo diçka të ngjashme. Ka shumë njerëz që kalojnë shumë kohë duke u brengosur për këtë çështje, por do ta them atë që e themë gjithmonë, asgjë të re. Përkushtimi i SHBA-së ndaj popullit të Kosovës është i fuqishëm dhe i hekurt si gjithmonë. Kemi qeni me popullin e Kosovës, jemi dhe do të jemi me popullin e Kosovës. Kjo nuk nënkupton që do të pajtohemi me çdo zgjidhje që bënë ç’do Qeveri e Kosovës”, ka thënë Hovenier të hënën në një deklarim për media gjatë vizitës në Gjakovë.
Ai ka thënë se nuk është fshehtësi që kanë disa mospajtime me disa vendime të Qverisë Kurti, por ka shprehur shpresën që të kenë bashkëpunim më të ngushtë që siç është shprehur ai, kur ka zgjidhje të vështira t’i tejkalojnë më lehtë.
“Qeveria ime bashkë me ato të disa partnereve qe ne punojmë, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, BE, kemi disa shqetësime, për disa zgjidhje politike të çështjeve politike që i ka bërë Qeveria Kurti e të cilat pamundësojnë të arrijmë atë çfarë duamë të arrijmë. Shpresoj që të kemi bashkëpunim sa më të ngushtë në mënyrë që kur të kemi çështje të vështira të kemi mundësinë t’i çojmë përpara më lehtë”, ka thënë Hovenier.