Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hovenier: Presim që Kosova të përmbushë idealet e Deklaratës së Pavarësisë së saj

Në shënimin e Ditës së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Ambasadën amerikane në Prishtinë, ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier e nisi fjalimin e tij duke cituar një pjesë të Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.

Në këtë pjesë të deklaratës thuhet se: “Kosova [shpallet] një Republikë demokratike, laike dhe multietnike, e udhëhequr nga parimet e jodiskriminimit dhe mbrojtes së barabartë sipas ligjit. Ne do të mbrojmë dhe promovojmë të drejtat e të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe krijojmë kushtet e nevojshme për pjesëmarrjen e tyre efektive në proceset politike dhe vendimmarrëse”.

“Ky tekst elokuent është pjesë e premtimit të Kosovës dhe bazë e pavarësisë së saj”, tha Hovenier, njofton REL.

Megjithatë, tha ai, “shpresoj se mund të pajtohemi që ndonjëherë Kosova nuk i ka përmbushur premtimet e këtyre idealeve”.

Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë krenare për mbështetjen që i kanë dhënë popullit të Kosovës në konceptimin, dhe më pas realizimin e vizionit të pavarësisë së saj, dhe se do të mbeten të palëkundur për të vazhduar këtë mbështetje.

“Në këtë frymë dua të pohoj se Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës në avancimin dhe arritjen e vizionit të saj themelues: shtetin demokratik, sovran, laik, multietnik”, tha Hovenier.

Ambasadori theksioi se SHBA dhe partnerët perëndimorë mbështesin Kosovën duke ofruar këshilla, e edhe pse kërkojnë “gjëra që duken ose janë vërtet të vështira për t’u bërë”, por se këtë e bëjnë në përputhje me “përkushtimin afatgjatë për të mbështetur popullin e Kosovës dhe për t’iu afruar atyre idealeve shumë ambicioze që ata kanë krijuar për veten e tyre”.

“Kështu që sot, teksa ne festojmë 247 vjetorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si një shtet i lirë, sovran, i pavarur, ne gjithashtu duam të festojmë së bashku, pasi Kosova arriti pavarësinë e saj të merituar; përparimin e jashtëzakonshëm që populli i Kosovës ka bërë në këtë periudhë të shkurtë kohore, dhe premtimin për përparim të mëtejshëm në dobi të të gjithë popullit të Kosovës”, u shpreh ai.

Fjalimi i ambasadorit amerikan në këtë frymë, vjen në kohën kur raportet mes Kosovës dhe partnerëve të tjerë ndëkombëtarë janë në një pikë të ulët.

Kjo çarje u ndodhi si pasojë e tensioneve në veri të Kosovës, i cili është i banuar me shumicë serbe, që u shkaktuan kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.

Serbët kundërshtuan këtë dhe që atëherë po zhvillojnë protesta duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale policore.

Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të ndërmarrin hapa për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe në veri të mbahen zgjedhje të reja lokale.