Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara i kanë dy kërkesa për Qeverinë e Kosovës: të mos insistojë që kryetarët të punojnë nga ndërtesat komunale, dhe që t’i tërheqë zyrtarët policorë nga tri ndërtesat komunale në veri.
“Ne nuk e kuptojmë pse nuk mund të shfrytëzohen lokacione alternative, apo ndërtesa tjera publike, për kryerje të funksioneve të tyre”, ka thënë Hovenier, duke përmendur shembullin që kryetarët e komunave në veri janë betuar në lokacione alternative.
“Ne besojmë se prezenca e Policisë së Kosovës në ndërtesa, e cila ka hyrë me forcë, është tejet sfiduese, prandaj i kemi kërkuar Qeverisë që të tërheqë policinë nga këto tri ndërtesa komunale”, tha ambasadori amerikan, transmeton RTK .
Sipas Hovenierit, marrja e këtyre dy veprimeve do të ndihmojë në ulje të tensioneve.
I pyetur nëse vendimi i Serbisë për rritjen e gatishmërisë luftarake të ushtrisë, përbën kërcënim për Kosovën, ambasadori amerikan, Hovenier, ka thënë se “nuk është kurrë shenjë e mirë” që shtetet fqinje, me të cilat janë marrëdhëniet e tensionuara – i mobilizojnë forcat e tyre.
“Mirëpo në këtë pikë, ne jemi të shqetësuar për veprimet e Qeverisë së Kosovës, të cilat e kanë krijuar këtë atmosferë krize në veri, prandaj po kërkojmë që ato të adresohen”.
I pyetur nëse presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pjesë e politikave qeveritare, nëse Kurti dhe Osmani punojnë si ekip, ambasadori Hovenier, ka thënë se nuk i takon të flasë për këto dinamika brenda institucioneve.
Megjithatë, Hovenier ka përmendur se Osmani e ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me komunitetin ndërkombëtar, në veçanti me Shtetet e Bashkuara.
“Besoj se kjo është diçka që ajo e trajton me seriozitet”.