Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Qeverisë të mërkurën, pati kritika në adresë të Prokurorisë Speciale, duke thënë se këtij institucioni iu deshën 10 orë për ta marrë në pyetje ministren Haxhiu për një postim në Facebook, derisa ende nuk është ngritur aktakuzë ndaj Millan Radoiçiqit për sulmin në Banjskë.
Këtë deklaratë të Kurtit e ka kritikuar ashpër avokati Asdren Hoxha, sipas së cilit nuk mund të krahasohet një rast kompleks si ai i Banjkës me marrjen e pyetje të ministres.
“Unë këtë e shoh një demagogji, popullizëm dhe gjithçka që qëllimin final e ka fitimin e votave, fitimin e zgjedhjeve, kjo është politikë, në politikë gjithçka është e lejuar, s’ka rregulla, edhe pse e shohim si një lojë të ndytë të pushtetit ndaj gjyqësorit dhe mediave” tha Hoxha në Rubikon.
Sipas avokatit, sulmi i vitit të kaluar në Banjskë është shumë i komplikuar, prandaj Prokurorisë Speciale i duhet shumë kohë për të përgatitur aktakuzë të qëndrueshme.
“Është brenda afateve ligjore për hetim, tash me kodin e ri të procedurës penale dy vite është afati për hetime me mundësi të zgjatjes për një vit tjetër, pra gjithsej tri vite afat për hetime dhe ajo periudhë kohore shfrytëzohet edhe për raste më pak të ndërlikuara, e lëre më te rasti i Banjskës, i cili është shumë i ndërlikuar dhe pret shumë ekspertiza, shumë analiza dhe shumë shterrje të mjeteve të caktuara në mënyrë që kur aktakuza të ngritet në gjykatë të ketë bazën e saj ligjore”, tha Hoxha.