Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, tha se ish-nënkryetari i Listës Serbe në Kosovë, Milan Radoiçiq vazhdon të jetë kërcënim serioz për Kosovën por edhe Rajonin, raporton teve1.
Hoxha në një intervistë, tha se shteti i Kosovës do të kërkoj ekstradimin e tij nga Serbia në mënyrë që ai të japë llogari edhe për personat e tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist të 24 shtatorit.
“Ky person i cili ka qenë edhe në listën e zezë të ShBA-së, ka qenë në kërkim nga Policia e Kosovës dhe shteti i Kosovës, vazhdon të jetë kërcënim serioz jo vetëm për Kosovën por edhe për Rajonin. Tash po tentohet që edhe Qeveria e Serbisë të shfajësohet duke e gjuajtur gjithë përgjegjësinë tek ky, mirëpo ky person është person që ka përgjegjësi politike, njeriu i dytë në Listën serbe dhe shumë i afërt me Qeverinë në Beograd.
Shihet duke marrë pjesë edhe në ekspozitat dhe panairet e armëve që janë bërë në Beograd, me shumicën prej njerëzve që i ka afër atje dhe pastaj merr guximin që të sfidoj pothuajse institucionet e Kosovës, institucionet e KFOR-it ndërkombëtare brenda territorit tonë mirëpo kësaj radhe u pa që e kishte gabim ndërmarrjen e tij sepse mori përgjigjen e merituar nga institucionet e Kosovës, respektivisht nga Policia e Kosovës. Do të vazhdojmë të kërkojmë ekstradimin e tij. Ne e kemi bërë tashmë një kërkesë tek policia e EULEX-it që kërkojmë nga policia e Serbisë që të bëjë ekstradimin dhe po ashtu të jap informacione për këtë dhe personat tjerë që kanë qenë të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit”, deklaroi Hoxha.