Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Enver Hoxhaj deklaroi se Bashkimi Evropian dhe ndërmjetësuesit e dialogut janë fshehur pas aktit të agresionit në Banjskë të Zveçanit të ndodhu më 24 shtator. Sipas tij, nuk ka proces politik për të kthyer institucionet në veri të vendit dhe vizion diplomatik që partnerët ndërkombëtarë të vendosin sanksione mbi Serbinë.
Kështu u shpreh Hoxhaj pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku u shpreh se vendi vazhdon të mbetet nën sanksionet e BE-së, për çka nuk mund të pranohen as të hollat nga marrëveshjet ndërkombëtare. Teksa foli për sulmin e 24 shtatorit, Hoxhaj u shpreh se BE është fshehur nga ajo ditë.
“Borrel dhe Lajçak janë fshehur që tri javë, nuk dalin në media që të thonë diçka konkrete se çfarë duan ata në raport me situatën në veri të vendit. A ta merr mendja që unë e marr seriozisht se çfarë thotë Stano a? Përderisa Albin Kurti, si kryeministër i Kosovës ka qenë në dialog me Serbinë, përderisa Serbia u shit si palë konstruktive në takimin e fundit, ka ndodhë një akt i agresionit mbi Republikën e Kosovës dhe Bashkimi Evropian është fshehur”, deklaroi ai.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ai tha se është detyrë e kryeministrit që të jap llogari para Kuvendit të Kosovës.
“Kemi kërkuar që shumica parlamentare të jetë e përgjegjshme me mandatin dhe punën që e ka Kuvendi i Kosovës. Ju e dini që aty ku ka parlament, aty ka demokraci, ku s’ka parlament nuk ka as sistem, as shoqëri demokratike. Është detyrë e kryeministrit, është detyrë e qeverisë, shumicës parlamentare që të japin llogari para Kuvendit të Kosovës. Llogaridhënia dhe kontrolli janë funksione të cilat i ka Kuvendi me Kushtetutë. Këtë frymë kemi folur edhe në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit dhe kështu presim nga qeveria që të sillen në raport me temën e bashkëpunimit brenda institucioneve, shumicë parlamentare dhe opozitë”, u shpreh ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj shtoi se Kosova vazhdon të mbetet nën sanksione edhe pas sulmit të 24 shtatorit. Sipas tij, qeveria do të duhej që të bind partnerët për sanksione ndaj Serbisë.
“Qëndrimi jonë është debati rreth marrëveshjeve ndërkombëtare nuk është një debat doktrinar, por problemi me marrëveshje ndërkombëtare është që nuk ka të bëjë as a e votojnë apo nuk e votojnë, problemi është që Kosova është nën sanksione. Dhe meqë Kosova është nën sanksione, ato të holla nuk vijnë fare në Kuvend të Kosovës. Dhe kjo është e vërteta që qeveria do të duhej që tu thotë qytetarëve të Kosovës. Ky vend vazhdon të mbetet nën sanksione edhe pas 24 shtatorit, ku ne kemi pritur që qeveria të kryejë punën e saj dhe është gjendje që të bind partnerët tanë që t’i vendosin sanksione Serbisë pas një akti të agresionit dhe sulmit terrorist”, deklaroi ai.
Pas mbledhjes së kryesisë, Hoxhaj u pyet edhe dorëheqjen e kryetarëve në veri të vendit.
“Partia Demokratike nuk i thotë një kryetari të komunës se çfarë do të duhej të bëjë ai. Shqetësimi jonë është i kësaj natyre, ajo se çfarë ka ndodhur mëngjesin e 24 shtatorit është fitore e madhe e shtetit, e Policisë së Kosovës, është një ngjarje e cila e bën dallimin mes asaj se çfarë ka qenë para 24 shtatorit dhe çfarë është tash. Dhe ne nuk po shohim proces politik për të riintegruar veriun, ne nuk po shohim proces politik për të kthyer institucionet në veri të vendit dhe ne nuk po shohim proces apo vizion diplomatik se si partnerët ndërkombëtarë në këtë situatë të re të bëjnë presion të vendosin sanksione mbi Serbinë”, theksoi Hoxhaj.
Hoxhaj tha se PDK nëse do të ishte në pushtet, 24 shtatorin do ta përdorte si moment kthese për ta përmbyllur shtet ndërtimin e Kosovës.
Hoxhaj konsideroi se Qeveria Kurti e ka prishur konsensusin e brendshëm për dialog dhe atë ndërkombëtar në raport me Kosovën.