Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoxhaj: Çmontimi i shtetit serb në veri, çmontoi Kosovën ndërkombëtarisht

 
   

Ish-ministri i Punëve të Jashtme dhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës Enver Hoxhaj, ka thënë se politika e çmontimit të pranisë së shtetit serb në veri, është duke shkuar paralelisht me politikën e çmontimit të Kosovës, ndërkombëtarisht.

Hoxhaj ka folur për situatën politike dhe të sigurisë në vend, për politikën e jashtme, dhe për aktivitetin e PDK-së si parti opozitare karshi zhvillimeve në vend.

Duke folur për diskutimet për hapjen e urës mbi lumin Ibër, ai tha se në kohën kur ka qenë ministër i Punëve të Jashtme, ndonëse jo i involvuar drejtpërdrejt, ka qenë në dijeni se në marrëveshjen e vitit 2016 është paraparë që ura të hapet në janar të vitit 2017, duke shtuar se sot nuk është kundër hapjes së urës.

“Kurti ka premtuar që deri në fund të verës do të hapet, dhe mbetet ta shohim”, tha Ai.

 “Por debatet për urën dhe për shumë tema në veri, në fakt tregojnë se një përpjekje e kryeministrit Kurti, gjoja për të çmontuar strukturat paralele në veri të vendit, strukturat e Serbisë që janë të pranishme dhe kanë qenë të pranishme, që një pjesë të madhe i kemi shpërbërë sa kemi qenë në qeveri, kjo politika e çmontimit të pranisë së shteti serb në veri, është duke shkuar paralelisht me politikën e çmontimit të Kosovës, ndërkombëtarisht”, tha Hoxhaj.

Ai tha se mbi lumin Ibër janë edhe dy ura të tjera që janë më funksionale në qarkullimin e njerëzve dhe mallrave.

 “Si PDK kemi atë qëndrim që kemi pasur më 2016”, shtoi Hoxhaj, duke theksuar se me veprimet e qeverisë kemi humbur mbështetjen e ndërkombëtarëve.

“Nëse në të kaluarën, si pengesë në integrimin e vendit në sistemin ndërkombëtar kemi pasur kundërshtarët politik të vendit, sot pengesë kemi kryeministrin Kurti dhe qeverinë e tij”, deklaroi Hoxhaj.

 Ai mes tjerash çështjen e urës e cilësoi si pjesë e një serie filmike. 

“Si tabelat, reciprocitetin dhe të gjitha ato aktet simbolike të një triumfalizmi të rrejshëm në një kohë të mashtrimeve, qytetarët e Kosovës i kanë parë për katër vjet”, tha ai.

“Përtej shtrirjes së rolit edhe kontrollit të policisë në veri të vendit, cila është përmasa e shtrirjes së pushtetit civil”, shtroi pyetjen Hoxhaj.

Ai theksoi se është pro për të gjitha marrëveshjet që janë arritur, dhe që ti qëndrojmë edhe pranë Kushtetutës.  Hapja e urës sipas Hoxhajt, do të duhej të konsiderohej si fitore e të gjithëve, fitore e qytetarëve që jetojnë në atë vend, por edhe si fitore e partnerëve tanë ndërkombëtar.

Lidhur me dialogun në Bruksel, Hoxhaj tha se BE do ta rimendojë procesin e dialogut Kosovë- Serbi.

Tutje, ai përmendi vizitën e shefit të CIA-s në Kosovë, që sipas tij, vendi ynë është konsideruar si problematik për sigurinë rajonale, së bashku me Serbinë e Bosnjën e Hercegovinën.

E duke folur për koordinimin me ndërkombëtarët, ai mes tjerash tha se sovraniteti i shteteve të vogla pa partneritet nuk mund të ushtrohet.

“Ne mund të koordinohemi, nëse respektojmë kontratën që është ndërtuar që nga 2008-ta, që është Pakoja e Ahtisaarit”, deklaroi Hoxhaj, teksa shoti se duhen respektuar marrëveshjet e arritura në dialog.

Ish-ministri i Punëve të Jashtme theksoi se pas luftës në Ukrainë, Kosova ka pasur shansin që të arrinte marrëveshjen për Partneritetin për Paqe.

“Ideja e pavarësisë së Kosovës është e paplotë, nëse ne nuk jemi pjesë e BE-së”, theksoi ai.