Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, kërkon një front të përbashkët opozitarë dhe shoqërorë, siç thotë për ta larguar kryeministrin Albin Kurti nga pushteti. Sipas tij, vetëm në këtë formë largohen populistët nga qeverisja dhe merren përgjegjësi për temat madhore që i ka Kosova. Hoxhaj i cili është edhe nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, thotë se e sheh të pamundur një bashkëpunim në të ardhmen me partinë aktuale në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje.
Hoxhaj deklaron se s’ka disponim që të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë, por do të pritet që të ketë zgjedhje të rregullta qoftë në dhjetor të këtij viti apo janar të vitit 2025.
Hoxhaj: Nevojitet një front i përbashkët opozitarë për ta larguar Kurtin nga pushteti
“Nuk po shoh shumë disponim që të ketë zgjedhje të parakohshme në Kosovë. Kam përshtypjen që më shumë po shkojmë që të kemi zgjedhje të rregullta kurdo që mund të mbahen në dhjetor apo janar të vitit të ardhshëm. Për mua shqetësimi kryesor nuk është i zgjedhjeve. Për mua shqetësimi kryesor është pas zgjedhjeve se çka do të ndodh. Unë kam fol vazhdimisht për një bllok mbi partiak, jo koalicion se kemi interesa të ndryshme, por për një bllok shoqëror, medial dhe një front të përbashkët për ta larguar Kurtin nga qeveria dhe për të marrë përgjegjësi për temat që i kemi në tavolinë”, thotë ai.
Megjithatë, Hoxhaj kritikon edhe dy partitë të tjera opozitare, LDK dhe AAK, siç thotë se janë rrudhur në interesa të ngushta për krijimin e një fronti të përbashkët, i cili sipas tij, nuk do të nënkuptonte domosdoshmërish një koalicion parazgjedhor.
Hoxhaj: Opozita duhet të reflektojë, nevojiten veprime politike
“Partitë politike janë rrudhur në interesa të ngushta dhe unë mendoj se përtej asaj që ne si deputetë të opozitës dhe nënkryetar i Kuvendit, duhet të jap një reflektim kritik mbi qeverinë. Unë dua të jem kritik edhe në raport me vet opozitën. Opozita nuk mundet edhe katër vjet pas tërë kohën Kurti, ky gabim ai gabim, por ne duhet të kemi veprim politik. Çka ndryshon në politikë dhe jetën në politikë janë veprimet të cilat krijojnë fakte”, shton Hoxhaj.
Ish-ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, thotë se e sheh të pamundur bashkëpunimin në të ardhmen me Lëvizjen Vetëvendosje.
Sipas tij, dallimet me kryeministrin Kurti janë të mëdha dhe vështirë të tejkalueshme.
Hoxhaj: E shoh të pamundur bashkëpunimin me LVV-në
“Nuk është problemi i vijave të kuqe. Problemi është i asaj se çka beson zotëri Kurti dhe çka besojmë ne. PDK-ja është parti e cila ka histori dhe është në themeli të shtetit të Kosovës. Edhe si UCK dhe si PDK dhe një pjesë e jona si individ që kemi qenë ditë e para prej themelimit të këtij shteti dhe jemi krenar. Ne nuk mund të bëjmë që s’po dina kur e shohim se në udhëheqjen e zotëri Kurti është duke u shpërbërë shteti i Kosovës brenda dhe jashtë. Në udhëheqjen e Kurtit është kah shpërbëhet demografia e Kosovës. Ky vend ka sa problem me orientimin e gabuar të politikës së jashtme po aq ka me krizën e besimit që e kanë qytetarët në raport me qeverinë dhe krizën e besimi që e ka Kurti si lider për të marrë vendime…Në këtë drejtim unë e shoh si të pamundur një bashkëpunim me zotëri Kurti në mënyrën sesi ka qeverisur deri tash”, përfundon Hoxhaj.