Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Hoxhaj: Lajçaku e Borrelli janë zhdukur pas 24 shtatorit, s’janë kredibilë

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka deklaruar se ndërmjetësit e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak e Josep Borrell janë zhdukur nga skena publike pas ngjarjeve të 24 shtatorit në veri.

Ai ka thënë se Lajçak e Borrell s’kanë kredibilitet për procesin e dialogut, derisa ka shtuar se Kosova duhet të ulet me përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Lajçaku e Borrelli janë zhdukur nga 24 shtatori. Ishin në krye të tavolinës kur takuan Kurtin e Vuçiqin…Do të duhej të inicionin sanksione pa pëlqimin e shteteve anëtare. Këta tregojnë se s’janë kredibilë. Kosova duhet të jetë e prerë jo vetëm në kërkesa në raport me Serbinë që t’i dorëzojë Serbia kriminelët, por duhet të ulet me partnerët amerikanë”, ka deklaruar Hoxhaj në KTV.

Sipas deputetit të PDK-së, sulmi në veri ishte akt terrorizmi e agresioni, derisa ka bërë thirrje që trupat e KFOR-it të vendosen në vijën kufitare me Serbinë.

“Prania e KFOR-it duhet të jetë në vijën kufitare e edhe në pikat kalimtare por edhe në kufirin e gjelbër, duhet edhe një proces politik se si të integrojmë komunitetin serb. Duhet të ketë alternativë të re në veri të vendit. Të ketë politikë të mençur në Kosovë që të bëjmë dallimin e serbëve që jetojnë në veri të vendit. Në situatën e re një politikë e mençur mund të krijojë një alternativë të re, të ketë politikë të qarte që duam të integrojmë serbët”, ka thënë tutje ai.

Sipas Hoxhajt, SHBA-ja ende e mbron në mënyrë ditore sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës.