Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj thotë se partitë opozitare duhet të kërkojnë takim me kryeministrin Albin Kurti.
Sipas Hoxhajt, ky është një element që i ka munguar opozitës, pasi për tema të tjera takimet janë zhvilluar.
“Përtej çka thashë deri më tash që e thashë vetëm frymën që në duhet të jemi një shoqëri e cila në mënyrë kritike reflekton për veri, se krejt jemi të interesuar që të ketë sa më shumë shtet dhe të jetë mbi të gjitha shtet i fuqishëm në veri të vendit dhe të kemi komunitet serb i cili është pjesë e institucioneve. Përtej kësaj unë mendoj se çfarë i ka munguar opozitës deri më tash, edhe PDK-së, edhe LDK-së e AAK-së është që të kërkojnë një takim me zotin Kurti meqë vitin e kaluar janë takuar për targa. Jo njëherë, por disa herë”, ka thënë Hoxhaj.
Hoxhaj ka thënë se me Kurtin duhet të bisedohet ndër të tjerash për atë se a është ai i interesuar që ta përmbyllë shtetndërtimin.
“Duhet të bisedojnë me z. Kurti si po e sheh, a ka problem me bandat në veri që është problem serioz, a ka problem me mbajtjen e zgjedhjeve në veri, a ka problem me planin e zbatimit të Ohrit, a ka problem me përmbylljen e shtet-ndërtimit sepse pyetja kryesore është a dojmë me përmbyll shtetndërtimin e Kosovës qysh e kem shpall në 2008, a duam ta integrojmë atë komunitet që jetojnë në veri të vendit, a duam me pas institucione multietnike apo duam përmes Facebook, TikTok, Instagram të apelojmë në rrafshin emocional dhe të mos ndodhë asgjë”, u shpreh Hoxhaj.
Hoxhaj po ashtu thotë se ideja për rrëzimin e Kurtit është populiste dhe ajo nuk duhet të diskutohet.
“Ka pasur takime mes liderëve të opozitës dhe kryeministrit Kurti për targa, për planin franko-gjerman, vitin e kaluar disa herë. Me vend e pa vend. Dhe nëse situata është aq serioze në qershor të 2023 dhe ne takohemi vetëm në Kuvend pa pasur një debat racional, profesional, jashtë syve të publikut, jo për të mos dhënë llogari por qysh fol klasa politike, elita politike në një vend, unë mendoj që nuk do të duhej të bëjmë përpjekje populiste për të thënë po e rrëzojmë Albin Kurtin në Kuvend të Kosovës sepse do të ndryshojë menjëherë kursi”, ka shtuar ai.