Qytetarët shqiptarë që përfshihen në aksidente rrugore me pasojë dëmet në shëndet apo ato materiale, po vuajnë me dekada për të marrë dëmshpërblimin që u takon, madje pa arritur ta marrin atë.
I tillë është rasti i aksidentit të ndodhur në datën 23 shtator 2012 në rrugën Gjirokastër-Kakavijë, ku u përplasën tri automjete dhe pasojat ishin vërtet të rënda. Ndonëse ngjarja ka ndodhur 12 vjet më parë, rasti i shqyrtuar nga redaskia flet për shtetasen L.Z, e cila përvecse mbeti e plagosur bashkë me vajzën 5 vjece, pësoi edhe abortin e fëmijës si pasojë e aksidentit në fjalë.
Edhe sot që flasim, familjari i të dëmtuarës, vazhdon të kërkojë të drejtën në dyert e gjykatave ku ndodhet në proces gjyqësor me kompaninë Intersig. Në objektin e padisë së shqyrtuar nga redaksia, shtetasi me iniciale S.Z, kërkon: “Detyrimin e pales se paditur te paguaje ne favor te paditesit shumen prej 6,000,000 leke shperblim per demin jopasuror i cili konsiston ne demin moral dhe ekzistencial per shkak te demit te pesuar nga aksidenti automobilistik dt.23/09/2012 ku mbeti e plagosur shtetesja L. Z dhe vajza ime A.Z si dhe nga aborti i femijes”.
Sikurse del nga objekti i paditë, pasoja e aksidentit nuk ka qenë vetëm plagosja, e gruas dhe vajzës, por edhe aborti që shtetasja ka pësuar nga tronditja dhe lëndimet e marra në aksident, pasi është sjellë në gjendje të rëndë në spital me helikopter.
Sipas dokumenteve gjyqësore, palë e paditur është kompania kompania e sigurimit “INTERSIG” VIG SH.A. Pavarësisht aksidentit të ndodhur 12 vjet më parë, i afërmi i dy shtetaseve të përfshira në aksident, vazhdon betejën nëpër gjykata, pa arritur të marrë dëmshpërblimin.
Si ndodhi aksidenti
Sipas policisë, në automjetin tip “Ford” taksi me targa Gj 252 A, në momentin e aksidentit udhëtonin 10 pasagjerë, prej të cilëve S. N 70 vjeç, lindur në Golem të Gjirokastrës dhe banuese në qytetin e Sarandës, dhe Sh. Ç 26 vjeç nga Korça, kanë humbur jetën në spital.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, tre prej të plagosurve janë transportuar për në Tiranë, K.Sh i datëlindjes 1985 nga Berati, L.Z, e datëlindjes 1984 nga Saranda me A.Z, 5 vjece, nga Saranda me helikopter (shtetaset per te cilat flet gjyqi me kompaninë e sigurimit), dhe A.B e datëlindjes 1992 nga Golemi i Gjirokastrës, është transportuar me autoambulancë për në Spitalin Ushtarak në Tiranë.
Në listën e të plagosurve të aksidentit ishin pra:
– L. Z, e datëlindjes 1984 nga Saranda e transportuar në gjendje të rëndë me helikopter për në Tiranë; pësoi abort si pasojë e aksidentit,
– A. Z, 5 vjeçe nga Saranda, është jashtë rrezikut për jetën në spitalin Gjirokastër;
Aksidenti
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, në fillim janë përplasur dy automjete, autovetura tip “Ford” me targa TR 64 15 T, me të cilin udhëtonin tre pjesëtarë të familjes B, furgoni tip “Ford Taksi” me targa Gj 252 A, në të cilin udhëtonin 10 persona dhe më pas në aksident është përfshirë edhe autovetura tip “Reno Klio” me targa Gj 1348 B.
Mësohet se automjeti tip “Ford” me targa TR 6415 T, që drejtohej nga E B, e që udhëtonte së bashku me dy prindërit e saj, bashkëshortët T dhe E B, ishte duke dalë nga rruga e fshatit Vanistër.
Në autostradë është goditur në pjesën e pasme nga furgoni “Ford” taksi, në të cilin udhëtonin 10 pasagjerë në drejtimin Gjirokastër-Sarandë, ndërsa automjeti i tretë “Reno Klio”, në të cilën ndodhej vetëm drejtuesi i mjetit, udhëtonte në drejtimin e kundërt Kakavijë–Gjirokastër. Ai është përplasur me furgonin dhe e ka përmbysur atë.
Si pasojë e këtij aksidenti tragjik, tre pjesëtarët e familjes Bitri janë plagosur rëndë dhe u dërguan në Spitalin Rajonal të Gjirokastrës, ndërkohë që mjeku i njohur gjirokastrit T.B, 73 vjeç, ka humbur jetën porsa ka mbërritur në spital. Deri në orët e mbrëmjes, bashkëshortja dhe e bija e tij nuk kanë mundur të mësojnë për vdekjet e bashkëshortit dhe babait, një mjek i njohur infeksionist dhe ish-mjeku i skuadrës së futbollit Luftëtari të Gjirokastrës.
Ndërkaq, në automjetin tip “Ford” taksi me targa Gj 252 A, në momentin e aksidentit udhëtonin 10 pasagjerë, sic është shpjeguar më lart.