Zgjohet çdo mëngjes për të shitur lajthi për të siguruar të ardhura për familjen e tij! Kjo është historia e trishtë e Blerimit, i cili është detyruar të braktisë shkollën çdo ditë që familjes së tij mos t’i mungojë kafshata e gojës. Është vetëm 12 vjeç dhe është detyruar të marrë rolin e burrit të shtëpisë.
Sot në Pogradec. Një djalë i vogël hyn në lokal, mbante qeska me lajthi në dorë.
Nuk bezdiste. Thjesht afrohej afër njerëzve. Ata që donin, kërkonin vet. Nuk lodhej për të reklamuar produktin e tij. U afrua tek unë.
Nuk je sot në shkollë?
-U zgjova vonë – më thotë gënjeshtrën e bardhë që unë ta kuptoja.
Po sa vjeç je?
-12 vjeç.
Shkon në shkollë vërtet?
-Shkoj por kur shes lajthi.
Po kur nuk shet?
-Dal të shes, t’i çoj mamit lek për bukë.
Po mami nuk punon?
-Punon kamariere.
Po babi?
-Babi më ka vdekur
Sa kohë ke që shet lajthi?
-2 vite.
Po pse shet lajthi e nuk shkon të mësosh?
-Sepse jam burri i shtëpisë. Unë duhet të mbaj familjen.
Çfarë do bëhesh kur të rritesh?
-Asgjë. Do ngelem burri i shtëpisë.
E dashke mamin shumë atëherë.
-E dua. Shumë. Po ti s’do blesh lajthi?
Jo nuk dua se është mëngjes por lekët po ti jap.
-Jo, nuk t’i marr lekët po nuk i more lajthitë.
Të të bëj një foto?
-Bëje por mos ma nxirr fytyrën
Pse mo?
-Se tallen shokët.
Të tallin që shet lajthi?
-Tallen per shumë gjëra.
Po ti nuk mërzitesh?
-Unë mërzitem vetëm kur nuk shes.
Nuk i mori lekët, as unë lajthitë. Mu duk sikur më mori ditën. Më tërhoqi. I vogël dhe i madh. Shpirtin e çiltër e forcën prej burri. 12 vjeç. Burrë shtëpie!