Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Humbje e madhe për vendin/ Ndahet nga jeta shkrimtari dhe përkthyesi i njohur shqiptar

Ka ndërruar jetë në moshën 94 vjeçare shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Ahmet Bushati. Ai ka vdekur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej kohësh. Lajmi i trishtë është bërë me dije nga djali i tij, Kreshnik Bushati.

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, për të cilin thotë se ishte një hero i qëndresës antikomuniste.

“Dje u nda nga kjo jetë Ahmet Bushati, një hero i qëndresës antikomuniste, shkrimtar, përkthyes e veprimtar politik. Si një ndër të rinjtë e brezit të tij që sfidoi me kurajo që në ditët e para, regjimin e sapo instaluar komunist, Ahmet Bushati u përball me dhunën e egër e gjakatare të diktaturës, me hetuesit dhe burgjet e saj, duke mos çeduar aspak ndaj frikës dhe torturave.

Si njeriu i idealeve zgjodhi qëndresën dhe sakrificën përballë të keqes. Libri i tij i çmueshëm “Në gjurmët e një ditari” është një afresk i rrëqethës i kalvarit të vuajtjeve të Shkodrës nën thundrën e diktaturës.

Ahmet Bushati u angazhua që në fillim me Partinë Demokratike, si i pari kryetar i Këshillit Bashkiak të qytetit dalë nga zgjedhjet e korrikut të vitit 1992. Me largimin e tij nga kjo jetë, Shkodra dhe mbarë vendi humbën një fisnik dhe intelektual të rrallë, një simbol të vërtetë të vlerave demokratike. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.

Ahmet Bushati lindi në Shkodër, më 25 mars të vitit 1929. Ishte anëtar i organizatës antikomuniste të studentëve shkodranë “Përpjekja Shqiptare”. U arrestua më 20 janar të vitit 1948, një ditë pasi e kishin përjashtuar nga “Organizata e Rinisë”.

Më 24 qershor 1949, Gjykata Ushtarake e Tiranës e dënoi me 7 vjet heqje lirie, punë të detyruar dhe heqjen e së drejtës elektorale për 2 vjet kohë për “krime kundër shtetit”. U lirua më 23 shtator 1954 për plotësim afati. Pas burgut punoi si punëtor krahu dhe më vonë si teknik në Krujë. Kreu me korrespondencë fakultetin në degën Gjuhë- Letërsi. Në vitin 1991 u kthye në Shkodër.

Nga viti 1992 deri më 1996 ishte kryetar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës. Në vitin 2018 mori titullin “Qytetar Nderi” i Shkodrës.