Fondi Sovran i Kosovës i cili ka kaluar në leximin e parë në Kuvendin e Kosovës është diskutuar sot në EURO n’7.
Ky fond i cili ka qenë një ndër premtimet më të mëdha të Lëvizjes Vetëvendosje sipas hartuesve të tij do të jetë reforma më e madhe ekonomike në vend e bërë ndonjëherë.
Mentor Hyseni i cili ka punuar në hartimin e Ligjit për Fondin Sovran të Kosovës ka thënë se kanë marr modeli të ndryshme në botë dhe i kanë përshtatur ekonomisë së Kosovës dhe që ndikimi i këtij institucioni do të jetë i jashtëzakonshëm në ekonominë e vendit.
Sipas tij fillimisht do të jenë 6 ndërmarrje publike që do të futën në ombrellën e këtij fondi dhe pritjet janë që të gjitha këto ndërmarrje të bëhen profitabile.
Hyseni i cili momentalisht është kryetar i Bordit të AKP-së thotë se fondi tashmë ka marr formën e vet juridike dhe deri në fund të vitit do të kalojë edhe në leximin e dytë në Kuvendin e Kosovës.
Ai poashtu ka bërë të ditur se me themelimin e këtij fondi ndërmarrjet publike dhe asetet më të rëndësishme të vendit do të mbikqyrën nga Kuvendi i Kosovës dhe jo nga qeveria siç ka qenë deri më tash.
“Kjo është reforma më e madhe ekonomike në vend. Fondi ka parapa që në fazën fillestare të merr nën ombrellën e tij gjashtë ndërmarrje publike dhe të funksionoj në formë të shoqërisë aksionare. Secili ndërmarrje e ruan të drejtën e vet të pavarur në operim ndërsa fondin e merr rolin e pasqyrave të konsolidume që realisht sheh projektet kapitale që janë paraqitur nga ndërmarrjet dhe varësisht nga shuma që ka akumulu fondi do të investoj në ato ndërmarrje. Diku rreth 212 milion euro kanë qenë subvencionet e pakthyeshme të qeverisë në këto ndërmarrje nga viti 2009 deri në vitin 2019 përjashtu Trepcën.Në vitin 2020 të gjitha këto gjashtë ndërmarrje, Korporata Energjetike e Kosovës, Posta e Kosovës, Telekomi i Kosovës, Trainkos, Infrakos,e Trepça kanë pasur 21 milion euro humbje, ndërsa 2021 humbjet kanë ra në 11 milion ndërsa në 2022 kanë realizuar 238 milion fitim, pra është bërë një menaxhim i mirë i tyre”, ka thënë mes tjerash kreu i AKP-së, Mentor Hyseni.
Tutje Hyseni ka thënë se fondi do të sjellë kapital të huaj përmes shitjes së aksioneve të këtyre ndërmarrjeve.
Kosova sipas Hysenit nuk është vendi i vetëm ne botë ku ekzistojnë këto lloj fondesh sepse të tilla në botë ka rreth 175 të cilat menaxhojnë 12 triliard dollar.