Zgjim Hyseni nga Partia Socialdemokrate (PSD), për “tensionet” mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se presidentja nuk e ka “më të veçantë” kryeministrin Kurti sesa Isa Mustafën e Fatmir Sejdiun.
“Mes tyre (Kurtit dhe Osmanit) bashkëpunimi nuk është fare në baza parimore, është interes i pastërt i ndërsjelltë. Këto dy figura politike nuk i bashkojnë vlerat, i bashkon pushteti. Në atë moment që pushteti vjen në diskutim këta edhe prishen. Kur vjen puna këtu besoj që Vjosa Osmani është e tillë që në një situatë të caktuar politike, ashtu siç i ka lënë të tjerët, ish-bashkëpuntorët tjerë, Isa Mustafën dhe Fatmir Sejdiun, nuk besoj hiç që e ka më të veçantë edhe Kurtin, asnjë pikë”, ka thënë Hyseni.
Hyseni ka thënë se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani “është efekt i kësaj hegjemonie”.
“Çështja është se Vjosa Osmani është efekt i kësaj hegjemonie dhe ajo në çdo situatë llogarit për efektin elektoral të cilido veprim”, ka thënë tutje ai.
“Besoj që për këtë punë fillimisht duhet të ketë një diskutim të shtruar mirë ku fjalën kryesore duhet të kenë ata që merren në përditshmëri me çështjen e luftimit të pabarazisë në baza gjinore. Duhet të diskutohet me organizatat e grave, duhet të shihet dhe të analizohet se cilat kanë qenë efektet e kuotës aktuale deri më sot”, ka shtuar Hyseni.
“Tensionin” mes kryeministrit dhe presidentes e ka sqaruar zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, i cili ka theksuar se Kurti po i fliste Osmanit për avokatin e Popullit, Naim Qelajn dhe për diskutimin e tij.
“Në fjalën e tij sot në mëngjes, në mbledhjen e Këshillit për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut, kryeministri Albin Kurti, përveç tjerash, tha se 10 ligje të Kuvendit që përbëjnë reforma tejet të rëndësishme në përputhje me ndryshimin e madh demokratik zgjedhor të shkurtit 2021 me slloganin ‘Drejtësi dhe Punësim’, janë të ngujuara, të rrëzuara ose të deformuara te Gjykata Kushtetuese. Kur pas kryeministrit e mori fjalën avokati i Popullit, Naim Qelaj, ai filloi të përsiatej qysh po mendon ta dërgojë edhe një ligj tjetër në Gjykatën Kushtetuese, kësaj radhe Ligjin e ri për Zgjedhje, që u votua në lexim të dytë në Kuvend sivjet më 8 qershor, u shpall në gazetën zyrtare më 3 korrik dhe hyri në fuqi më 18 korrik 2023.
Në atë xhirim shihet kryeministri Kurti duke i folur presidentes Osmani për avokatin e Popullit Qelaj dhe këtë çështje të fjalës së tij”, ka shkruar Kryeziu.