Anëtari i Partisë Social Demokrate, Zgjim Hyseni, ka deklaruar se PSD si subjekt politik konsideron që të gjitha veprimet e bëra në veri nga Qeveria e Kosovës janë gabim.
Sipas PSD-së, zgjidhja e vetme që do të dërgonte në njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë është ripërcaktimi i kufijve.
“Shikuar prej perspektivës së zgjidhjes së subjektit tonë politik ne mendojmë se të gjitha veprimet që i ka bërë qeveria e Kosovës, bile edhe nësë kishin me qenë më të suksesshme edhe sikur të kish me u hap ura janë gabim për shkak se ne mendojmë që zgjidhja është politike edhe zgjidhja është ripërcaktimi i kufijve e cila zgjidhje dërgon në njohjen reciproke midis dy shteteve dhe e cila ia njeh të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, e e njëjta gjë në mënyrë demokratike duhet t’i njihet edhe serbëve të Kosovës, nëse ata duan të shkojnë me Serbinë ose jo”, ka thënë Hyseni në emisionin “Info Nata”.
Për Hysenin dhe PSD-në, sa më pak tendencë të ketë Serbia në Kosovë, aq më pak do të jenë problem serbët e Kosovës për Kosovën.
“Ne mendojmë se kjo është zgjidhja e cila e zgjidh njëherë e mirë problemin Kosovë Serbi, sepse ky problem kurrë nuk ka qenë i natyrës etnike, ky problem është midis Serbisë dhe Kosovës e jo midis serbëve dhe shqiptarve, sa më pak që ka tendencë Serbia në Kosovë, aq më pak kanë me qenë problem serbët e Kosovës këtu, e për këtë arsye ne mendojmë se zgjidhja më e mirë është ripërcaktimi i kufijve”, ka shtuar Hyseni.