Pas 3 vitesh në qeli, Fatmir Hoxha ka fituar lirinë. Ishte gjykata e Fierit ajo që mori këtë të hënë vendimin, duke e shpallur 54-vjeçarin të pafajshëm, për vrasjen e Ahmet Toskës, ngjarje e ndodhur më 26 Tetor të vitit 2020, në Fier.
“Sot është dhënë vendimi në ngarkim të të pandehurit Fatmir Hoxha. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier e përbërë nga trupi gjykues znj. Dajana Ndreja, kryesuese seance dhe anëtare gjyqtare znj. Olkeda Lice dhe gjyqtar z. Rudi Laze, me shumicë vendosi: Deklarimin e pafajshëm të të pandehurit Fatmir Hoxha. Gjyqtarja znj. Olkeda Lice ka dalë kundër me vendim pakice”, thuhet në njoftimin e gjykatës që përcjell gazetarja Anila Sefa.
Po sipas kësaj të fundit, Hoxha fitoi pafajësinë pas rigjykimit të kësaj çështje nga gjykata dhe një ri-inspektim i provave (pamje filmike të kamerave të sigurisë, veshjet, etj) që rrëzonin akuzat për autorësinë e tij. Në përfundim, gjykata u pajtua se nuk ka prova bindëse që vrasja është kryer prej tij.
54-vjeçari Hoxha ka lënë pasditen e sotme ambientet e burgut të Fierit. Që prej momentit të parë kur u arrestua, ai nuk e pranoi asnjëherë autorësinë për vrasjen. Ai u arrestua 14 Nëntor të atij viti në aeroportin e Rinasit teksa po kthehej nga Italia, ku jetonte prej vitesh. Sipas avokates së tij, 54-vjeçari po kthehej për të sqaruar akuzat e ngritura ndaj tij.
Ahmet Toska u ekzekutua më 26 Tetor në orën 06:00 të mëngjesit, teksa po shoqëronte bashkëshorten për në punë.
Një person i maskuar iu afrua dhe e qëlloi me një plumb në kokë. Pamjet filmike dhe gjurmët e barutit në veshje ishin provat e prokurorisë, në bazë të së cilave kërkoi masën e sigurisë arrest me burg ndaj Hoxhës.
50-vjeçari Ahmet Toska u ekzekutua në sy të bashkëshortes së tij, për motive ende të paqarta. Tashmë edhe autori i vrasjes së tij mbetet ende i pazbuluar, njësoj si arma e krimit.
Vrasja e Ahmet Toskës u trajtua gjerësisht nga emisioni Uniko nga Spartak Koka në Klan Plus, përmes 3 puntatave të dedikuara, duke publikuar pamjet e ngjarjes dhe pretendimet e secilës palë.
Motra e tij, kërkoi që Prokuroria të bëjë ekspertim fizik të autorit që duket në kamerat e sigurisë dhe ta krahasojë me vëllain e saj (Lexo më shumë). Ajo tha se familja kishte bërë një ekspertim privat në Shqipëri e Itali dhe rezultati ishte që vëllai i saj nuk përputhet me vrasësin që duket në video.
Fatmir Hoxhajt i është bërë edhe një eksperiment hetimor nga policia, që analizuan lëvizjet e tij me të vrasësit të maskuar që shfaqej në kamerat e sigurisë.
Familja e Hoxhajt kishte bërë një ekspertim privat në Itali dhe kërkonte që të njëjtën gjë të bënte edhe Prokuroria e Fierit.
Për emisionin Uniko foli në një lidhje me Skype edhe eksperti italian, i cili kishte bërë analizat krahasuese trupore të vrasësit që shfaqej në video dhe Fatmir Hoxhajt. Eksperti tha se dy personat ishin totalisht të kundërt sa i përket përmasave trupore, duke mohuar kështu që Fatmir Hoxhaj të ishte autori që duket në videon e vrasjes.
“Në thelb është plotësisht person tjetër ai që është filmuar në atë skenë dhe komplet krejt i ndryshëm nga Fatmiri dhe kjo gjë është e qartë si drita e Diellit”, shprehej eksperti në intervistën e dhënë në Tetor të këtij viti (Lexo më shumë).