Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

I fundit! Shkarkohen 2 ministrat shqiptarë në Maqedoninë e Veriut

Pas një seance maratonë për gati 10 orë, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut shkarkoi sot pas mesnate dy ministrat shqiptarë Fatmir Mexhitin dhe Azir Aliun nga radhët e Aleancës për Shqiptarët.

Siç raportojnë mediat maqedonase Parlamenti miratoi shkarkimin e dy ministrave me 62 vota pro, 0 kundër dhe 0 abstenim.

Seanca për shkarkimin e dy ministrave Fatmir Mexhiti (ministër Shëndetësie) dhe Azir Aliu (ministër për Shoqërinë Informatike dhe Administratën) nga Partia Aleanca për Shqiptarët nisi pasditen e së premtes me kërkesë të ish-kryetarit të kësaj partie, Ziadin Sela, pas përplasjeve me kreun aktual, Arben Taravari.

Krahu i drejtuar nga Taravari vendosi që t’i bashkohet opozitës shqiptare për zgjedhjet që do të zhvillohen në pranverë, gjë që ka shkaktuar përçarje brenda partisë. Fatmir Mexhiti dhe Azir Aliu u shkarkuan nga parlamenti pasi u rreshtuan me Taravarin lidhur me vendimin e tij për t’iu bashkuar opozitës shqiptare në zgjedhjet e pritshme në pranverë.