Kryeministri Edi Rama ka njoftuar këtë të shtunë shkarkimin nga detyra të Ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi.
Lajmin e ka bërë publik vetë shefi i qeverisë përmes një postimi në Twitter, ku njofton se ditën e hënë do t’i propozojë Presidentit Bajram Begaj shkarkimin e ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi dhe emërimin në këtë post të Taulant Ballës.
Shkak për shkarkimin e Çuçit duket se është bërë ngjarja në Fushë Krujë, ku të afërmit e ish-deputetit Rrahman Rraja rrahën brutalisht dy persona të cilët denoncuan prishjen e shtëpive të tyre nga shpërthimet në kantierin e gurores së familjes Rraja.
Rama në Twitter: Të hënën do t’i dorëzoj zyrtarisht Presidentit të Republikës propozimet e mëposhtme! Falenderoj ministrin Bledi Çuçi për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë dhe uroj që ministri i ri i Punëve të Brendshme Taulant Balla, të çojë më tej përpjekjen tonë të palëkundur shtetndërtuese në çdo drejtim.