Emisioni “Në Shënjestër” nga gazetarja Klodiana Lala ka trajtuar mbrëmjen e sotme ndërhyrjen në sistemin TIMS që shkaktoi reagime të shumta përfshirë edhe atë të ambasadës amerikane në Tiranë, duke zbardhur me detaje atë çfarë ka ndodhur.
Pjesë nga dokumentari:
Dhe si të mos mjaftonin të gjithë këto shkelje, gjithmonë sipas denoncuesve, drejtori Ervin Muça në panik e sipër, kërkoi të fshijë edhe pamjet filmike të kamerave të ambienteve të Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, me qëllim që të mos dalloheshin personat që ai kishte marrë nga jashtë për të eksportuar bazën e të dhënave të sistemit TIMS.
“Drejtori Ervin Muça kërkoi gjithashtu të kontaktojë me nxitim personin përgjegjës për kamerat e ambienteve ku u krye eksportimi nga personat e panjohur, por për momentin ky person nuk i është përgjigjur. Kjo që ka ndodhur është një grabitje e të dhënave policore nga një person që nuk ka as një muaj në punë, dhe po kështu as certifikatë sigurie. I emëruar me fshehtësinë më të madhe për të marrë të dhënat e informacionit sekret policor ashtu siç bëri në Tatime. Ku po kështu ky person deri para një muaji ishte drejtor i IT te Kadastra, ku ka vjedhur të gjithë databazën e pasurive hipotekore të shqiptarëve nën pretekstin e kadastrës dixhitale”, thuhet në denoncim. Ky denoncim vendosi në lëvizje edhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, pranë Departamenti të Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Ku gjatë hetimit u morën në këqyrje edhe kamerat e sigurisë në ambientin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në rrugën ‘Mine Peza’ në Tiranë, kamera nga ku më datë 2 Gusht 2023, u arritën të evidentoheshin edhe lëvizjet e personave të jashtëm që futen në këtë departament të thirrur aty nga drejtori Ervin Muça.
Në raportin sekret të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore thuhet se nga pamjet filmike ka rezultuar se më datë 2 Gusht 2023 në orën 17:45 në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit kanë hyrë Besjon Tanuzi, Drejtor i Drejtorisë së Sistemeve, si dhe shtetasi i identifikuar si Klodian Mazari, me detyrë përgjegjës sektori në AKSHI, pranë QKB. Në institucion ka hyrë edhe shtetasja Marjana Shehi, e cila nuk është punonjëse pranë DTI-së. Në bazë të verifikimeve të mëtejshme, rezulton se këta shtetas, kanë hyrë në ambientet e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, duke përdorur kartën hyrëse të njërës prej punonjësve të institucionit. Dhe më tej po këta persona janë parë të futen në zyrën e specialistëve për të dalë nga aty rreth mesnatës.
“Nga këqyrja e kamerave të sigurisë rezulton se në orën 23:52 nga zyra kanë dalë shtetasi Klodian Mazari dhe A. V. Të dy janë ngjitur në katin e dytë. Në orën 23:54 nga zyrat e DTI, ka dalë punonjësja A.V dhe më pas në orën 00:19 të datës 3 Gusht 2023 kanë zbritur nga kati i dytë dhe dalin jashtë drejtori i DTI Ervin Muça dhe shtetasi Klodian Mazari”, thuhet në dosje.
Për të fshehur gjurmët apo për arsye të tjera, fakt është që drejtori Ervin Muça për të hyrë e dalë nga institucioni ka përdorur kartën e një prej punonjëseve të tij. Referuar pamjeve filmike të kamerave të sigurisë, del se Drejtori i Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Muça dhe Drejtori i Drejtorisë së Sistemeve DTI, Besjon Tanuzi kanë hyrë dhe kanë dalë nga institucioni disa herë.
“Rezulton se Ervin Muça ka dalë nga institucioni në orën 23:01. Ai ka përdorur kodin e një vartëseje të tij në sistemin e hyrjeve daljeve. 15 minuta më vonë, ai ka hyrë sërish në institucion duke përdorur kodin e vartëses. Zyrtarja deklaroi se kodin e hyrjes ia kishte dhënë drejtorit Besjon Tanuzi dhe jo eprorit Ervin Muça”, thuhet në dosje.
Një nga elementët e provës që grupi hetues siguroi ishte edhe Hard Disku që u përdor për të eksportuar materialet nga sistemi TIMS, aty ku edhe u evidentuan edhe gjurmët e back up-it të kryer në Hard Diskun e jashtëm të përdorur nga drejtori Ervin Muça dhe personat që ai kishte thirrur në ndihmë si edhe intervalet kohore kur ishte bërë ndërhyrja në server. Për të aksesuar në server ishte përdorur një kompjuter dhe përmes tij do të kopjoheshin të dhënat në Hard Disk.
“Nga këqyrja e të dhënave të serverit të sistemit TIMS, rezultoi se ndryshimi i fundit ishte bërë më datë 3 Gusht 2023, ora 01:39. Brenda një dosje ndodheshin tre skedarë, për të cilat ndryshimi i fundit ishte bërë më datë 2 Gusht 2023, ora 23:53. Në një dosje të dytë ndodheshin katër skedarë ku për tre prej tyre ndryshimi i fundit ishte bërë më datë 2 Gusht 2023, ora 21:27.Ndërsa për skedarin tjetër ndryshimi i fundit ishtë bërë më datë 2 Gusht 2023, ora 23:20. Në një dosje tjetër ndodheshin 12 skedarë ku për 9 prej tyre ndryshimi i fundit ishte bërë më datë 3 Gusht 2023, ora 00:31. Ndërsa për tre skedarët e radhës ndryshimi i fundit ishte bërë më datë 3 Gusht 2023, ora 00:30”, sqarojnë hetuesit.
Pra sikurse rezulton më lart, për orë me radhë u hodhën të dhëna në Hard Disc, për të përfunduar nuk e di se ku, por sigurisht këto veprime u kryen jo për të ruajtur të dhënat e qytetarëve, por qëllimi ishte kriminal. I intervistuar nga grupi hetues vetë drejtori i Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, u justifikua lidhur mbi këtë ndërhyrje, se rregullorja ishte e paqartë. Dhe se nuk ka të administruar, rregullore apo procedura standarde për funksionimin e DTI-së, si edhe ndonjë urdhër apo material shkresor në lidhje me veprimet ne fjalë. Ndërkohë që e vetmja akuzë që deri më tani rëndon ndaj tij është ajo për veprat penale ‘Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike’ si dhe ‘Shpërdorimi i detyrës’.
Mesditën e së martës, prokuroria njoftoi se Ervin Muca është marrë zyrtarisht person nën hetim për veprën penale “Hyrja e Paautorizuar Kompjuterike”.
Sikurse ka zbuluar emisioni “Në Shenjëstër” konfirmohet se “në datë 02.08.2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit, e cila ndodhet në godinën e Drejtorisë së Teknologjisë dhe Informacionit me adresë Rr. Mine Peza në Tiranë, ka pasur hyrje dhe eksportim të të dhënave të paautorizuara nga Drejtori i Teknologjisë dhe Informacionit, Ervin Mucca. Veprimet janë kryer në orët e vona të natës, ku persona të paautorizuar janë futur në godinë me pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.
Prokuroria ka zbuluar faktin se Ervin Muça ka fshehur detaje të të shkuarës së tij në Itali. “Personi nën hetim, sipas shkresës nr. 3041/1 prot, datë 08.01.2024 të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, rezulton se në datë 23.10.2007 në Itali është raportuar si përgjegjës për veprat penale të dokumenteve false kryer nga persona privatë dhe përdorimin e një akti të rremë. Në datë 09.09.2008 shtetasit E. M. i është njoftuar vendimi për refuzimin e rinovimit të lejes së qëndrimit të marrë nga shtabi i policisë në Bari”.
“Nga hetimi procedimit penal ndërmjet të tjerash, rezulton se personi nën hetim është këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që është edhe Drejtor i Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionit në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Personi nën hetim Ervin Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikues për pozicionin e DTI në policinë e shtetit”, përfundon organi i akuzës. Hetim që gjithsesi mbetet i paplotë sa kohë që ai vazhdon qetësisht detyrën dhe ende mbetet e paqartë arsyeja përse tentoi të eksportojë bazën e të dhënave të policisë. Dhe nëse pas tij është dikush më lart që me duart e tij, ishte i interesuar t’i kishte në duar këto të dhëna, kaq të rëndësishme.