Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

I riu në Prishtinë gjuan disa herë me armën e babait, Policia ia bastis shtëpinë

Posedimi i armëve ilegale është një dukuri shqetësuese në vendin tonë, pasi që Policia vazhdimisht has në persona të armatosur të cilët cenojnë sigurinë e qytetarëve dhe rrezikojnë jetën e tyre.

Përpos armëmbajtjes, kosovarët janë edhe meraklinj të gjuajtjeve me armë, ku si pasojë janë shënuar shpesh herë raste të plagosjeve të qëllimshme dhe atyre nga plumbat qorr, të cilat kanë përfunduar edhe me fatalitet.

Një rast i tillë është zbuluar në fshatin Busi të Prishtinës, ku një person dyshohet se ka shtënë disa herë në ajër me armë zjarri.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Policia në koordinim me Prokurorinë kanë kryer bastisje në shtëpinë e 21-vjeçarit, ku kanë gjetur dhe sekuestruar një armë me karikator dhe fishekë e cila është në pronësinë e kryefamiljarit.

Babë e bir kanë përfunduar në stacion policor, ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë në cilësinë e të dyshuarve.

Me urdhër të prokurorit, ata do të hetohen në liri për veprat penale ‘Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës’ dhe ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’.

Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.“