Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

I vazhdohet paraburgimi Isni Kilajt

 
   

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ia kanë vazhduar Isni Kilajt masën e paraburgimit.

Kjo është bërë e ditur përmes konferencës javore të DhSK-së, nga zëdhënësi Michael Doyle i cili tha se vendimi për Isni Kilajn është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake më 5 mars 2024.

“Më 5 mars, gjykatësi i Procedurës Paraprake urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Isni Kilajt, pasi konstatoi se ekziston rreziku se mund të pengojë ecurinë e procesit penal dhe të kryejë vepra penale të tjera, si dhe rrezik i moderuar që mund të arratiset”, tha Doyle.

Sipas Doyle, në vendimin për vazhdimin e paraburgimit për Kilajn ka ripërsëritur konstatimin se Kilaj mund të ketë kryer krime kundër administrimit të drejtësisë.

“Në Vendimin e 5 marsit, Gjykatësi po ashtu përsëriti se ekziston dyshimi i bazuar se z. Kilaj mund të ketë kryer krime kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare”, tha ai.

Zëdhënësi i DhSK-së shtoi se gjykatësi i ka vënë në dukje se këto konstatime lidhen me materiale konfidenciale të sekuestruara nga ZPS në banesën e Kilajt.

“Gjykatësi vuri në dukje se këto konstatime lidhen me materialet konfidenciale të sekuestruara nga Prokuroria gjatë kontrollimit të kryer me autorizim gjyqësor në banesën e z. Kilaj, për të cilat ekziston dyshim i bazuar se ose do të përdoreshin ose faktikisht u përdorën me qëllim ndërhyrjen në administrimin e drejtësisë”, tha Doyle.

Ai tha së kohëzgjatja e paraburgimit për të dyshuarit përpara se ZPS-ja të dorëzojë aktakuzën  nuk mund të zgjasë më shumë se një vit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në bazë të Rregullores së Procedurës dhe Provave, kur një person i dyshuar ose i akuzuar paraburgoset, gjykatësi duhet të rishikojë çdo dy muaj nëse arsyet që përligjin paraburgimin e tyre janë ende të vlefshme. Sa u përket të dyshuarve, kohëzgjatja e gjithsejtë e paraburgimit përpara se Prokuroria të dorëzojë aktakuzën nuk mund të zgjasë më shumë se një vit dhe, gjatë asaj periudhe, çdo kërkesë për shtyrje dymujore duhet të përligjet prej masave hetimore që do të ndërmerren prej Prokurorit të Specializuar”, tha Doyle.

Tutje, Doyle tha se seancat në çështjen gjyqësore të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë planifikuar të rifillojnë të hënën e ardhshme, më 18 mars në orën 9:00. Deri tani në këtë gjykim kanë dhënë dëshmi 48 dëshmitarë.

Ndryshe, ish-kryetari i Komunës së Malishevës, Isni Kilaj, është transferuar më 3 nëntor 2023 në objektin e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, pasi është arrestuar nën dyshimin për veprën penale kundër administrimit të drejtësisë.

Përveç kësaj vepre, Kilaj dyshohet edhe për veprën penale “Pengim i personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “Shkelje të sekretit të procedurave”.

“Z. KILAJ u arrestua për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

Sipas këtij njoftimi, ZPS ka thënë se e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë dhe ndjek penalisht të gjithë ata që përfshihen në çdo rast.

“Zyra e Prokurorit të Specializuar e merr jashtëzakonisht seriozisht pengimin e drejtësisë dhe do të vazhdojë të hetojë e ndjekë penalisht cilindo dhe të gjithë ata që përfshihen në çdo rast, përfshirë ata që frikësojnë apo ndërhyjnë tek dëshmitarët, ose ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”, thuhej në njoftimin e ZPS-së.

Tutje, ZPS përmes njoftimit tha se EULEX-i dha mbështetje operative dhe logjistike për ZPS-në në pajtim me mandatin e vet dhe sipas legjislacionit të Kosovës. Edhe Policia e Kosovës dha mbështetje operative për ZPS-në.

Ndryshe, Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, çdo të enjte, në orën 14:30, përmes platformës online “Zoom” mbajnë informim javor ku ofrojnë informacione të përditësuara mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë në këtë gjykatë.