Millan Radoiçiq dyshohet se i shpërlante paratë e fituara nga krimi përmes biznesit ‘RAD’ D.O.O.
Ky biznes zyrtarisht figuron në emër të Radulle Steviqit, një personi në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Përmes këtij biznesi, udhëheqësi i grupit terrorist që sulmoi Policinë e Kosovës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku, e ndërtoi edhe vilën në afërsi të Liqenit të Ujmanit.
Faturat për ndërtimin e kësaj vile u lëshuan në emër të kompanisë ‘RAD’, bazuar në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, e cila e akuzon Millan Radoiçiqin për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës, për shpëlarje parash dhe lehtësim e financim në kryerjen e terrorizmit.
Një punonjës shqiptar i kompanisë ‘Afri Univerzal’, e cila ofron dyer dhe dritare, ka dëshmuar se çka kishte parë në vilën e te Liqeni i Ujmanit kur kishte shkuar atje me porosi për t’i vendosur dyer e garazheve në vilë.
Kompania me bazë në Mitrovicë të Jugut ishte kontraktuar për vendosjen e garazheve në këtë vilë.
Bujar Rama, që ishte porositur nga kompania t’i vendoste dyert e garazheve në vilën e Radoiçiqit, ka dëshmuar se brenda garazheve kishte parë makina luksoze të parkuara brenda, si dhe pajisje të tjera të kriptovalutave.
“Në deklaratë shton se i kujtohet që kur kishte shkuar t’i bëjë matjet e nevojshme për përmasat e dyerve, kishte parë shumë makina luksoze në garazhe dhe pajisje tjera crypto valuta, e kishte pyetur një prej personave të cilët gjendeshin në vilë se të kujt janë këto vetura, personi e kishte këshilluar që të mos pyes shumë, si dhe dëshmitari shton se pas një kohe e kishte kuptuar se ato vetura ishin të Millan Radoiçiqit dhe Veselinoviqit”, ka thënë Rama në dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale.
Ndërkaq, njëri nga pronarët e kompanisë ka thënë se punonjësit e firmës kanë punuar pesë apo gjashtë ditë tek vila në Liqenin e Ujmanit.
Afrim Osmani, bashkëpronar i biznesit ‘Afri Univerzal’, ka thënë se faturat e pagesave për punë i kishte lëshuar kompania ‘RAD’.
“Dëshmitari tjetër Afrim Osmani në deklaratën e dhënë me datë 07.03.2024 ka deklaruar se është bashkëpronar me vëllezërit e tij në firmën ‘Afri Univerzal’, e cila merret me prodhimin e dyerve dhe dritareve me lokacion në Mitrovicën e Jugut. Ky dëshmitar ka deklaruar se ka punuar 5 apo 6 ditë në vilën tek Liqeni i Ujmanit për t’i vendosur disa dritare të kontraktuar nga firma ‘RAD’. Në pyetjen se nëse i ka treguar ndonjë person se e kujt ishte vila, dëshimitari ka deklaruar se kur ishte kontaktuar nga Radulle Steviq, i ishte thënë se duhet shkuar te vila e Radoiçiqit për t’i bërë matjet e dritareve dhe për t’i vendosur, kurse pagesën e kishte pranuar nga kompania ‘RAD’ përmes faturave të rregullta dhe nëpërmjet transaksioneve bankare”, ka dëshmuar Osmani.
Në pyetjen tjetër nëse e kishte takuar ndonjëherë Millan Radoiçiqin, Osmani ka deklaruar se i kujtohet që “ka qenë viti 2021, kishte ardhur Millan Radoiçiq së bashku me tre djemtë e tij dhe truprojat” dhe se i kujtohet se vetëm i ka përshëndetur në gjuhën shqipe dhe ka vazhduar.
Për të dëshmuar shpëlarjen e parave të krimit nga Millan Radoiçiqi dhe financimin e vilës përmes biznesit ‘RAD’, Prokuroria Speciale ka intervistuar edhe katër roje, të etnisë serbe, të cilës kishin punuar “pa letra” në vilën te Liqeni i Ujmanit.
Secili prej tyre e ka pranuar se ishin punësuar nga Radoiçiqi, i cili, sipas dëshmive të tyre, u kishte thënë që të mos tregonin se vila është e tij.
“Çdo person që pyet, qoftë gazetar apo kushdo qoftë, duhet të thoni se vila është e Bojan Jakshiq”, ka dëshmuar Marko Svorliq, një nga rojet e punësuara në vilën e Radoiçiqit.
Bojan Jakshiq, ishte po ashtu një nga bashkëpunëtorët e Radoiçiqit në krim.
Radoiçiq dhe 44 persona të tjerë akuzohen për kryerje të veprës terroriste dhe për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës. Ata dyshohen për pjesëmarrje në sulmin e armatosur, terrorist, kundër Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit.