Të martën në mëngjes, në Pejë një grua mbeti e vdekur nga arma të cilën dyshohet se e shkrepi bashkëshorti i saj.
Ndaj këtij rasti, i cili erdhi vetëm pak ditë nga ngjarja tjetër tragjike e vrasjes së gruas nga ish-bashkëshorti në Ferizaj, pati reagime të shumta, si nga spektri vendor, ashtu edhe nga ai ndërkombëtar.
Ministria e Drejtësisë u kujdes që të thërrasë konferencë për media, ku foli në lidhje me rastet e fundit të vrasjes së grave nga burrat, por edhe në përgjithësi për dhunën në familje e dhunën me bazë gjinore.
Ndërkaq, zëvendësministri i kësaj ministrie, Blerim Sallahu, përmes një postimi në Facebook, listoi, sipas tij, punët që i ka kryer ministrja e këtij dikasteri, Albulena Haxhiu, në adresimin e dhunës në familje dhe me bazë gjinore.
Mirëpo, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve të zv/ministrit Sallahu, duke e akuzuar për gënjeshtra.
IKD thotë se Sallahu në postimin e tij, “rrejshëm ka listuar shumë aktivitete” që nuk kanë qenë pjesë e MD-së, dhe se ka bërë politikë “duke përdorur gratë e vrara”. Krejt këtë, IKD-ja thotë se Sallahu e bëri për t’i ikur përgjegjësisë.
“Në përsiatjet për t’i ikur përgjegjësisë, zv. Ministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, rrejshëm, tentoi të marrë merita. Rrejshëm, duke listuar shumë aktivitete, ai bëri politikë duke përdorur gratë e vrara, e duke sulmuar aktivistet. Por, prapë logjikisht, nuk tregoi se pse të gjitha këto “punë” dështuan dhe brenda katër ditëve u vranë dy gra”, tha IKD-ja.
Sipas kësaj OJQ-je, nga e gjithë lista e publikuar në profilin e Sallahut, “më shumë se 2/3 e 29 ‘punëve të Ministres’ nuk përbëjnë ‘punë’ të Ministres, e as Ministrisë së Drejtësisë”.
IKD-ja tha se tri nga “punët” e prezantuara nga Sallahu “nuk janë fare punë të Ministrisë, përkundrazi janë prodhime të akterëve të tjerë, të cilat rrejshëm, zv. Ministri Sallahu i paraqiti si punë të Ministrisë”.
Më tej, në reagim thuhet se “që të duken më shumë në numër, shtatë të tjera, zv. Ministri i Drejtësisë, duke i riformuluar, i paraqiti si ‘punë’, edhe pse janë aktivitete veçse të përmendura në këtë listë”.
“Përtej kësaj, pati edhe aktivitete që direkt janë të pavërteta. I tillë është rasti kur zv. Ministri i Drejtësisë e liston si aktivitet ‘Zbatimi i Strategjisë Kombëtare – mbi 80% të aktiviteteve të zbatuara’. Në realitet, Zbatimi i Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe në Baza Gjinore, bazuar në Raportin Vjetor të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna ndaj Grave 2022 – 2026, i publikuar nga vetë Ministria e Drejtësisë në Mars 2023, thotë se vetëm 17% e aktiviteteve janë zbatuar plotësisht, ndërsa 42% janë zbatuar pjesërisht apo janë në proces të zbatimit. Kështu, në secilin variant, kjo është një gënjeshtër e z. Sallahu, që provohet nga raporti i publikuar nga Ministria ku vetë ai është zv. Ministër”, thotë ndër të tjera IKD-ja.
Më tej, IKD thotë se 10 “punë” të tjera janë aktivitete “komplet sipërfaqësore, që nuk mund të paraqiten si ‘punë’ në ndikimin e drejtpërdrejtë në përmirësimin e rrethanave dhe situatën e rënduar të sigurisë së grave në Kosovë. Dhe assesi nuk përbëjnë suksese”.
“Nga këto aktivitete, vlen të veçohet fillimisht, fushata globale ‘16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore’ e cila është iniciativë aktiviste qysh nga vitet e 90-ta dhe përdoret nga aktivistët dhe organizatat botërore për të bërë thirrje për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave. Kjo do të thotë se është fushatë që i takon aktivistëve dhe shoqërisë civile, e jo institucioneve shtetërore, përkatësisht Ministrisë së Drejtësisë. Për çka, është e turpshme të përvetësohet, e lëre më të listohet për qëllimin që po përdorej”, tha IKD-ja.
Instituti i Kosovës për Drejtësi “ia zgjati dorën” MD-së për 8 aktivitete të përmbushura gjatë këtij mandati, “me të gjitha telashet që kanë në përmbajtjen e tyre”.
“Përkundër se në Kosovë është krijuar ky mentalitet institucional, që në raste të kësaj natyre institucionet ngarendin ta heqin përgjegjësinë nga vetja, rasti i zv. Ministrit Sallahu tejkalon negativisht këtë mentalitet. Është e padrejtë dhe jo etike që mbi gratë e vrara, në ditët kur shoqëria kërkon përgjegjësi, të publikohen rrejshëm aktivitete dhe të rritet numri i tyre, për të shpërfaqur si sukses diçka që realisht nuk ka ndodhur. Thënë më ndryshe, zv. Ministri Sallahu bëri politikë mbi gratë e vrara”.
“Në statusin e tij, zv. Ministri Sallahu nuk tregoi pse kjo Qeveri nuk e ka funksionalizuar Ligjin për Mbikëqyrje Elektronike, si mungesë e të cilit para pak më shumë se një viti, në oborrin e QKUK-së u vra një grua”.
“Ndërsa, në kuadër të punëve të cilat tashmë janë iniciuar nga Ministria, të njëjtat duhet të zbatohen përpara, në mënyrë që fuqizimi ekonomik i grave të jetë prioriteti parësor, ndërsa programi për kryerësit e veprave penale të dhunës në familje dhe dhunës me bazë gjinore të shkojë përkrah me të. Dhe vetëm nëse këto funksionalizohen si duhet, mund të konsiderohen si punë në përmirësimin e situatës kundrejt luftës ndaj dhunës dhe vrasjes së grave”.
“Krejt në fund, z. Sallahu nuk tregoi as se pse këto ‘29 punë’ nuk mbrojtën gratë, dy prej të cilave u vranë brenda 4 ditëve”, përfundoi IKD-ja.