Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

“Inceneratorët po ‘djegin’ vetëm fondet publike”, Eurostat: 4% e mbetjeve në Shqipëri u përpunuan më 2022

Projektet e inceneratorëve për djegien e mbetjeve hyjnë në investimet më të mëdha të qeverisë për nga vlera në 6 vitet e fundit, por ato nuk anë pasur asnjë rol në trajtimin e mbetjeve edhe pse 2 nga tre objektet tashmë janë ndërtuar.

Të dhënat e Eurostat mbi trajtimin e mbetjeve në Europë tregojnë se në vitin 2022 në Shqipëri u gjeneruan 295 kilogram mbetje për banorë, por vetëm 13 kilogram për frymë ose 4.4% për qind e totalit të tyre u eliminuan me djegie në inceneratorë ose në fushë të hapur.

Sakaq inceneratorët janë kthyer në objekte të “djegies” së fondeve publike. Qe nga viti 2017- janar 2024 ato kanë marrë nga buxheti i shtetit rreth 122 milionë euro, sipas te dhënave nga Ministria e Financave, teksa miliona të tjera prokurohen ditë pas ditë me qëllim për rikthimin e tyre në pune.

Vetëm në janar të vitit 2024, kompania Integrated Energy BV SPV përgjegjëse për ndërtimin e indceneratorit të Tiranës është paguar nga thesari i shtetit me rreth 2.1 milionë euro, nga të cilat mbi 600 mijë ishin pagesa të Bashkisë së Durrësit dhe 1,5 milionë euro nga Bashkia e Tiranës.

Për shkak të investimeve jo-efektive dhe korruptive kostot e Bashkisë së Tiranës për menaxhimin e mbetjeve në vitin 2024 janë më shumë së dyfishi, në krahasim me vitin 2017, përpara se të fillonte projekti i inceneratorëve, sipas të dhënave zyrtare nga buxheti afatmesëm 2024-2026 i Bashkisë së Tiranës për periudhën 2021-2024 dhe 2017 nga Kontrolli i Kartë i Shtetit (KLSH).

Përpunimi i mbetjeve i kushton më shumë bashkisë së Durrësit. Bashkia Durrës përbën një rast unik se si mbi gjysmën e të ardhurave që ajo mbledh vetë e shpenzon vetëm për një zë, për mbrojtjen e mjedisit (kryesisht pastrimi mbeturinave). Në vitin 2022, të ardhurat e veta të Bashkisë (nga taksat e tarifat e taksat e ndara) ishin 1.53 miliardë lekë, me rënie 3% në krahasim me vitin e mëparshëm, sipas të dhënave nga Co-Plan.

Sakaq qytetet kryesorë të vendit përballen njëherazi me kosto të larta të trajtimit të mbetjeve dhe ndodhen para një emergjencë mjedisore, pasi mbetjet e gjeneruara në Elbasan, Durrës, Kavajë, Vorë dhe Tiranë po grumbullohen në landfillet pranë inceneratorëve që nuk punojnë.

Trajtimi i mbetjeve në Shqipëri vijon të jetë një “patate e nxehtë” në dorën e qeverisë, teksa vendi po përjeton bum turistik. Vendi vitin e kaluar u vizitua nga 10 milionë turistë, dhe ky sezon pritet të jetë edhe më i mbarë nga prenotimet. Nga ana tjetër pirgjet me plehra gjenden kudo në vend./Monitor