Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Incident në QKN në Prishtinë, një person hyn “live” në TikTok

 
   

Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, gjegjësisht në sallën “1 Tetori”, ditën e djeshme ndodhi një incident, ku komisionerët e LDK-së dhe të LVV-së për pak sa nuk u rrahën fizikisht.

E tëra ishte për shkak të një vote, e cila nga komisioneri i LVV-së u tha se është e pavlefshme, kurse ai i LDK-së e tha të kundërtën.

Aty intervenoi edhe Policia për të qetësuar situatën.

Ndërkaq edhe sonte në po këtë qendër është raportuar për një incident tjetër.

Raportohet se një person ka hyrë “live” në TikTok nga hapësira ku po bëhet numërimi i votave për deputetë.

“Ka ndodhur një incident ku disa persona janë fjalosur mes vete pasi njëri nga ta gjithashtu ka shfrytëzuar TikTokun duke e paraqitur procesin e numërimit të votave para audiencës së tij”, tha gazetarja Zogaj, teksa shtoi se nuk dihet nëse ka të arrestuar për rastin.

Ndërkaq, njërit nga vëzhguesit e QKN-së “1 Tetori” i është shqiptuar një tiketë nga Policia e Kosovës për prishje të rendit dhe qetësisë.

Procesi i numërimit të votave për deputetë po vazhdon në disa komuna, por që ky proces është përcjellë me shumë probleme teknike.