Incidenti i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit të enjten ka marrë vëmendjen e dy mediave në Evropë.
Për rastin e saj kanë raportuar revista e njohur “Politico” dhe televizioni publik të Polonisë.
Revista e njohur “Politico” ka shkruar se Osmani është përfshirë në një përplasje me sigurimin e aeroportit të Shkupit duke e krijuar një përkeqësim diplomatik.
Incidenti kishte nisur kur Osmani, e cila po udhëtonte nga Shkupi drejt Sllovenisë, refuzoi të dorëzonte telefonin e saj te sigurimi i aeroportit që kërkoi ta skanonte atë.
Këshilltarja e presidentes, Egnesa Vitia e ka cilësuar kërkesën si “në kundërshtim me praktikat ndërkombëtare” dhe ka shtuar se refuzimi i Osmanit e ka nxitur një anëtar të stafit të aeroportit që ta “shtynte” presidenten, shkruan revista “Politico”.
Incidentin e ka konfirmuar Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut, por ka dhënë një tjetër situatë, duke thënë se anëtari i sigurisë së Osmanit fizikisht kishte shtyrë anëtarin e stafit të aeroportit me qëllim që t’i hapte rrugë Osmanit për të kaluar kontrollin kufitar pa skanuar telefonin e saj.
Ngjashëm ka raportuar edhe televizioni publik i Polonisë që ka shtuar se Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë ka nisur hetimet në lidhje me incidentin e presidentes së Kosovës.
Ndërkaq në deklaratën e MPB-së në Shkup thuhej se një orë e gjysmë më vonë, tre pjesëtarë të sigurisë të angazhuar për kryetarin e parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, arritën në aeroport “dhe filluan të kërcënonin punëtorët [e Aeroportit Ndërkombëtar të Shkupit] dhe pyesnin se kush i ka shkaktuar problem presidentes”, pasi njëri prej zyrtarëve e shtyu një “oficer policie që punonte në pikën kufitare”.
“Politico” duke cituar mediat në Shkup, ka shkruar se zyra e Gashit e ka mohuar këtë, duke thënë se stafi i tij ishte “prezent vetëm për të qetësuar situatën” dhe zgjidhi mosmarrëveshjen mes stafit të Osmanit dhe sigurimit të aeroportit.
Ndërkaq, zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti e ka cilësuar rastin si “keqkuptim”.