Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

​Incidenti në Lagjen e Boshnjakëve, Elshani: Herën tjetër do të jemi edhe më të ashpër

 
   

Pas ngjarjes së mbrëmshme në Lagjen e boshnjakëve në veri të Mitrovicës, ku dyshohet për ngjitjen e një stikersi mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini, si dhe shpimin e gomave të disa automjeteve, është deklaruar zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai ka potencuar për KosovaPress, se nëse në të ardhmen përsëriten ngjarje të tilla, policia do të jetë edhe më e ashpër në reagimin e saj dhe nuk do të tolerojë asnjë veprim tjetër.

Sipas tij, katër persona janë intervistuar në lidhje me rastin, ndërsa një person është identifikuar si i dyshimtë për dëmtim kriminal apo shtytje në vepër penale.

“Mbrëmë i kemi intervistuar katër persona, tash jemi duke i identifikuar të gjithë të tjerët, dhe njërin prej tyre e kemi identifikuar si person të dyshimtë për dëmtim kriminal, apo edhe shtytje në vepër penale. Atë çka ne kemi me thënë është se çdo gjë ka kaluar pa ndonjë problem mbrëmë, sidoqoftë banorët të cilët janë aty, por edhe të gjithë banorët e veriut të vendit, duhet ta dinë se policia është këtu, ne e kryejmë punën tonë dhe askush nuk duhet të tentojë ta merr ligjin në duart e veta dhe të tentojë ta kryejë punën siç mendojnë ata, sepse ne do të marrim masa njëjtë… Herën tjetër do të jemi edhe më të ashpër, s’do të tolerojmë asnjë veprim tjetër, kemi policë të mjaftueshëm dhe njësi speciale, të rendit, dhe njësi të ndërhyrjes së shpejtë”, ka thënë Elshani.

Në anën tjetër, lideri i Iniciativës Qytetare Mbijetesa serbe, Aleksandar Arsenijeviq, njëherësh iniciator i stikersave të tilla, ka dënuar aktin e ngjitjes së stikersit mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Hajredini.

Ai theksoi se të gjitha përmendoret duhet të jenë të mbrojtura nga ana e vetë qytetarëve pa dallim, dhe kjo duhet të jetë porosia e qartë, e jo arsye për krijimin e tensioneve.

“Kur i kemi dhënë stikersat kemi dhënë edhe udhëzime të qarta se askush nuk guxon për t’i ngjitur ato në shenjat e komunikacionit, në vitrinat e lokaleve pa lejen e pronarit, nëpër dyert e banesave, përmendore… Ne shprehim dyshime për mundësinë që dikush me qëllim, respektivisht dikush nga kabineti i kryetarit Atiq, si për shembull Visar Syla apo dikush ngjashëm me të, i cili dëshiron tensione njëjtë si Vetëvendosja, tensione dhe përleshje në veri, ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. Unë me këtë rast dënoj një ngjitje të tillë në përmendore… Do të thotë, nëse nuk lejon mbi përmendoren tënde, atëherë nuk guxon të prekësh as përmendoren e huaj, sepse të gjitha përmendoret duhet të jenë të mbrojtura nga ana e të gjithë neve dhe kjo duhet të jetë porosia e qartë dhe jo arsye për krijimin e tensioneve”, u shpreh për KosovaPress Arsenijeviq.

Ndryshe, persona të panjohur dyshohet se të enjten mbrëma kanë ngjitur një stikers mbi pllakën përkujtimore të dëshmorit Avni Hajredini në Lagjen e boshnjakëve. Nuk dihet çfarë përmbajtje ka pasur stikersi, pasi ai është hequr menjëherë nga dikush dhe kur policia ka arritur në vendin e ngjarjes nuk ka gjetur asgjë. Pas kësaj, rreth dhjetë persona shqiptarë në shenjë revolte janë mbledhur në këtë lagje, ndërsa policia ka evidentuar edhe shpimin e gomave në dy automjete me targa të Serbisë. Aty pastaj janë tubuar edhe banorët serbë, të cilët jetojnë në ndërtesat përreth, me ç’rast është dashur ndërhyrja e pjesëtarëve të policisë, të cilët kanë bindur të dyja palët që të shpërndahen.