Kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, e ka hedhur poshtë propozimin e Kryeministri shqiptar Edi Rama për statutin e Asociacionit, duke e konsideruar të pa vlerë për Kosovën, dokumentin që shefi i qeverisë të Shqipërisë ka njoftuar se e ka përcjellë tek Presidenti francez Emanuel Macron dhe Kancelari gjerman Olaf Scholz.
Vetëm pak orë pas këtij qëndrimi të Abdixhikut, një anëtar i LDK’së ka “shpërthyer” në akuza që duken se janë edhe për shefin e tij të partisë.
Anton Berisha i LDK’së duke i dhënë mbeshtjejte iniciativës së Kryeministrit të Shqipërisë, ka akuzuar dhe ironizuar me disa, siç i quan ai, “politikanë të opozitës” që po duan ta mbrojnë Kryeministrin e Kosovës Albin Kurti nga propozimet e Edi Ramës.
E këtë “politikanë të opozitës” sikurse Kryeministrin Kurti, ish-diplomati kosovar i ka përkufizuar si “infantilë politikë”.
“Në njërën anë kryeministri Kurti me taksat tona paguan në Tiranë këshilltarët që e yshtin atë kundër perëndimit, e në tjetrën anë disa politikanë të opozitës duan ta mbrojnë Kurtin nga propozimet e kryeministrit shqiptar Rama. Infantilët politikë në qeveri e jashtë saj, ende nuk e kuptojnë se SHBA është siguresa e rendit botëror për të evituar kaosin e anarkinë, bartese e sigurisë kolektive, e që në veçanti ka rëndësi për shtetet e vogla siç janë Kosova e Shqipëria”, ka shkruar Berisha në facebook.