Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Investimi në Sazan, profesori: Ky lajm është një ogur jo i mirë për shqiptarët – Përmend katër persona dhe ndarjen e Kosovës!

 
   

Profesri Enver Bytyçi ka reaguar në lidhje investimin në ishullin Sazan, që do ta bëjë dhëndërri i Donald Trump.

Ai ka thën se ky është një lajm jo i mirë për shqiptarët, duke renditur disa nga arsyet.

Ndër to thotë se “Grennell, Kushner, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi ishin bashkë dikur për të implementuar projektin e ndarjes së Kosovës! Kush na garanton se investimi i Grennel dhe Kushner nuk lidhet me këtë projekt përkohësisht të dështuar?!”.

Shkrimi i plotë;

Lajmi për investimin e Jared Kushner, dhëndërr i Donald Trump, në Sazan dhe Zvërnec ka përfshirë medien, politikën dhe opinionin publik. Sigurisht që ky investim në këta dy ishuj është lajm. Por secili duhet të bëjë llogari të qarta, nëse është një lajm i mirë apo i keq.

Lajm i mirë është se rriten investimet e huaja në Shqipëri. Lajm i mirë është se hyrja e kapitalit të familjes Trump në turizmin shqiptar duhet normalisht të jetë garanci për investime të tjera strategjike. Por në të gjitha pikëpamjet dhe analizat e tjera ky lajm është një ogur jo i mirë për shqiptarët. Pse?

Së pari, se këto dy investime në këto resorte dhe projektet për to nuk janë transparente. Askush nuk e di se çfarë do të ndërtohet. Nuk kishte asnjë informacion. Asnjë diskutim me grupet e ekspertëve dhe interesit! Si gjithmonë, jemi ne shqiptarët që i marrim vesh të fundit lajme të tilla.

Së dyti, pasi të bëhej projekti do të duhej të bëhej një tender ndërkombëtar dhe përmes një konkursi të tillë do të duhej të shpallej fituesi. Nëse Jared Kushner do të ishte fitues, atëherë askush nuk do të kishte të drejtë ta paragjykonte. Por sonte Richard Grennell tha se ishte i lumtur që mundi ta bindte zotin Kushner për ta marrë përsipër këtë investim.

Së treti, kjo do të thotë se Edi Rama e ka lutur zotin Grennell që ta bindë dhëndërrin e presidentit Trump ta realizojë këtë sipërmarrje. Pa projekt paraprak, pa tender, pa konkurs, pa ofertë, pa asgjë. Kjo është shkelje e të drejtës shtetërore dhe e barazisë e shanseve të barabarta.

Së katërti dhe shumë e rrezikshme! Nëse e zbërthejmë intervistën e sotme te Syri.net të ambasadorit Grennell, atëherë shkojmë te arsyetimi i bazuar në logjikën e gjësë, se kryeministri i Shqipërisë ka lobuar përmes zotit Grennell për këtë investim në duart e Kushner me qëllim që të korruptojë familjen e kandidatit kryesor e favorit për të fituar në zgjedhjet e nëntorit të këtij viti për postin e presidentit të SHBA-ve. Ai është mjeshtër për të korruptuar ndërkombëtarët, me qëllim asgjësimin e pluralizmit dhe përjetësimin e pushtetit të tij.

Së pesti, dhënia me lobim e pa konkurencë e këtyre dy resorteve turistike me qëllim korrupsioni për të garantuar pushtetin e Edi Ramës në Shqipëri, është goditje fatale e lirisë dhe demokracisë në vendin tonë. Kjo goditje do të shkatërroje edhe konturet formale të ekzistencës së një lloj demokracie hipokrite. Do të rikthejë diktaturën e pushtetit të Edi Ramës, si dhe diktaturën e mashtrimit, intrigës, manipulimit e të grabitjes së pasurisë së shqiptarëve.

Së gjashti, ambasadori Grennell, dhëndërri i Donald Trump e të tjerë në SHBA, i marrin këto prona të shqiptarëve falas nga një person, i cili ka korruptuar ish-shefin e FBI-së, McGonigal. Një herë korruptues, gjithmonë mbetesh i tillë. Nëse do të kishte medie serioze e misionare, do të zbulonte faktin se pas lobimit të Ramës për të dhënë Sazanin e Zvërnecin qëndrojnë afera korruptive të llahtarshme.

Së shtati, Grennell, Kushner, Edi Rama, Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi ishin bashkë dikur për të implementuar projektin e ndarjes së Kosovës! Kush na garanton se investimi i Grennel dhe Kushner nuk lidhet me këtë projekt përkohësisht të dështuar?!

Nga të gjitha anët që ta analizosh dhe trajtosh këtë investim, del se shqiptarët janë humbësit më të mëdhenj, ndërsa Rama, Grennell dhe Vuçiq janë fituesit e padiskutueshëm!