Kreu i Kishës katolike, Dodë Gjergji deklaron se Vatikani de-facto e ka njohur Kosovën me hapat konkretë që ka ndërmarrë ndaj vendit tonë, megjithëse shton se ka ende hezitim për njohjen de-jure.
Gjergji thotë se thirrja dhe insistimi i Kishës katolike në Kosovë është e vazhdueshme edhe për një njohje “me letra” të shtetit të Kosovës nga ana e Vatikanit dhe se përpjekjet e tilla nuk do të pushojnë deri në arritjen e qëllimit, pavarësisht se thekson edhe rëndësinë e autoriteteve në raportet shtetërore.
“Në të vërtet Vatikani de-facto e ka njohur realitetin tonë dhe Kosovën, me hapat konkretë që i ka bërë ndaj nesh. Vatikani ka emëruar delegatin e vet të posaçëm për Kosovën, sikur një figur diplomatike që merret me relacionet në mes Vatikanit, Kishës dhe Kosovës. Vatikani e ka njohur kishën vendore të Kosovës në Dioqezën Prizren dhe Prishtinë, sigurisht unë kam qenë dhe jam emëruar në këtë kontekstin e ri të personalitetit juridik kishtar. Vatikani ka pranuar të gjithë presidentët dhe kryeministrat e Kosovës në pritje te papët, sepse duke filluar nga Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti dhe Papa Françesku. Komunikimi dhe relacionet janë në përmirësim e sipër. Njohja de-facto është kurse de-jure është çështja e marrëdhënieve mes shteteve. Vatikani si kishë universale që e njeh Kosovën dhe realitetin dhe Vatikani si shtet. Marrëdhënia mes shteteve duhet të krijohet në bazë të relacionit që krijohen dhe rrethanave që janë”, thotë Gjergji.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është lideri i fundit që është pritur në Selinë e Shenjtë pak kohë më parë. Mirëpo, as ky dhe as të tjerë para tij që kanë pasur mundësinë të priten nga kreu i Vatikanit nuk janë konsultuar me Kishën në Kosovë.
“Do të donim që të konsultohemi më shumë përpara se të shkonin kjo do të ishte gjëja më e duhur, por personat veçantë që kanë pasur këtë mundësi që të shkojnë në selinë e shenjtë të takojnë papën nuk e kanë parë të arsyeshme të konsultohen me neve”, vijon Gjergji.