Inspektorati Policor i Kosovës njofton se ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.
Pas pranimit të informacionit, njoftohet se hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
“Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës. Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik”, njofton IPK.
IPK njofton pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.
“Inspektorati Policor i Kosovës mbetet i përkushtuar në përmbushje të misionit ligjor në konsultim të vazhdueshëm edhe me prokurorin përgjegjës për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti”, thuhet tutje në njoftim.